SKANDAL/ Fëmijët e katër çerdheve në Prishtinë mbeten pa ushqim, në makarona u gjet një mi dhe insekte

Sot në çerdhen “Fatosat”, në Prishtinë, 300 fëmijë kanë mbetur pa drekë pasi që në makaronat që është dashur t’i hajnë është gjetur një mi.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga një prind që fëmijën e ka në këtë çerdhen në fjalë, por i cili ka dashur të mbetet anonim.

Burimi në fjalë tha se për këtë skandal është njoftuar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, të cilit i kanë dërgua edhe fotografi të miut.

“Në çerdhen “Fatosat”, në mëngjes fëmijët kanë ngrënë supë edhe asgjë tjetër. Në drekë kanë pasur makarona me djathë por kur e kanë hapur enën për me u servuar fëmijëve e kanë gjet një mi aty. Më pas kanë njoftu në komunë, e po ashtu e kanë njoftu edhe kryetarin, Shpendin, mirëpo nuk është bo e madhe kjo punë. Më pas fëmijëve ju kanë dhënë me ngrënë vetëm darkë, drekën hiç”, ka thënë ky prind për lajmi.net.

Po i njëjti prind thotë se insekte janë gjetur edhe në një çerdhe tjetër në lagjen Dardania, shumë afër çerdhes “Fatosat”.

“Në një çerdhe tjetër, në Dardani, në makarona paskan gjet buba. Punëtoret që janë në këtë çerdhe paskan thënë se do ta bëjnë të madhe këtë punë, por sigurisht po tuten për shkak të vendit të punës, a çka po di unë”, është shprehu prindi.

I shqetësuar me gjendjen e çerdhes dhe shëndetin e fëmijëve, ky prind thotë se është dashur të gjendet një mënyrë tjetër për t’i ushqyer fëmijët, e jo t’i lënë pa ushqim.

“Në rregull, e kanë gjet miun, por pse me i lanë fëmijët pa drekë, pse nuk e kanë gjet naj mënyrë tjetër, po sigurisht kanë dashtë me fsheh rastin se me foto ia paskan qu edhe Shpendit (Ahmetit), e kanë informuar”, thotë prindi për lajmi.net.

Çdoherë sipas tij, pas kësaj ngjarje, mësueseve u është thënë që t’u thonë fëmijëve se ishte prishur furgoni i ushqimit derisa po e sillte në çerdhe.

“Prindërit bari nuk hanë, fëmija 5-6 vjeçar dinë me tregu a kanë ngrënë drekë a jo. Ju mundeni me shku me i vet a kanë ngrënë fëmijët drekë dje, po edhe fëmijët me i vet a keni ngrënë drekë dje, ju tregojnë. Por ju kishin pas thënë mësueseve thuani fëmijëve që është prish furgoni edhe nuk ka mbërri ushqimi, po dardhat kah erdhën? Pemët kanë ardh në të njëjtën kohë me drekën”, thekson prindi i shqetësuar.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, i cili tha se jo në një çerdhe por në katër çerdhe të Prishtinës janë gjetur insekte në ushqim.

“Ne kemi informata që në Komunë thonë se janë gjetur insekte e jo mi. Insekte janë gjetur në katër çerdhe. Është problem më i madh dhe jemi t’u e analizu pse ka mundur të ndodh një gjë e tillë. Më shumë gjasë kjo ka ndodhur gjatë transportit”, ka thënë Tahiri.

Tutje ai tha se ushqimi është larguar edhe do të kujdesën që një gjë e tillë mos me ndodhë herën tjetër.

“Me të marrë vesh ne e kemi tërheq atë ushqim. Do të kujdesemi që mos me ndodh herën tjetër”, tha Tahiri në fund.

SHPËRNDAJE