Skandal në KRU “Mitrovica”, Kryeshefi i’a punësoi vajzën zëvendës kryeshefit (Dokument)

Punësimet skandaloze po vazhdojnë në Kompaninë e Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, pasi që më datë 12 prill 2017 është punësuar Arta Peci Ujkani, e cila është vajza e zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj kompanie publike, Muharrem Peci.

Më datë 10 shkurt 2017 KRU “Mitrovica” kishte shpallur konkurs për punësimin e 12 punëtorëve të rinj, ku pozita e parë në konkurs ishte ‘Inxhinier përgjegjës i teknologjisë informative’, ndërsa  personi i punësuar sipas kushteve të konkursit do të përkujdeset për funksionimin e pajisjeve në fabrikën e ujit dhe programimin e softuerëve kompjuterik. Shkollimi i kërkuar ishte që kandidati të ketë të kryer Fakultetin Teknik – drejtimi informatikë ose kompjuterikë.

Mirëpo, me rezultatin e shpallur në muajin prill i pakënaqur është Nezir Ahmeti, i cili kishte konkurruar për këtë pozitë, me ç’rast edhe ka bërë një ankesë në KRU ‘Mitrovica’, të cilën e ka prezantuar edhe në redaksinë e portalit Veriu.info.


Nezir Ahmeti

“Dua të shpreh pakënaqësitë e mia në lidhje me përzgjedhjen e kandidates, sepse mendoj se kandidatja është përzgjedhur është në kundërshtim me rregulloret dhe ligjet, për shkak se prindi i saj punon si zëvendës Kryeshef Ekzekutiv në KRU ‘Mitrovica’ dhe gjatë kohës së testimit me shkrim ka pasur edhe ndërhyrje nga një punëtor i kompanisë, i cili i është afruar kandidates së pranuar dhe ia ka treguar përgjigjet”, ka thënë ankuesi Nezir Ahmeti, i cili ka treguar se rezultati i konkursit për këtë vend pune ka qëndruar vetëm disa orë në tabelën e shpalljeve të KRU ‘Mitrovica’, ka thënë Nezir Ahmeti.

Ankesa e Nezir Ahmetit

Veriu.info ka siguruar procesverbalin e komisionit për marrëdhënie pune, i cili më datë 12 prill 2017 i ka propozuar Kryeshefit Ekzekutiv që për vendin e punës ‘Inxhinier përgjegjës i teknologjisë informative’ të pranohet njëri prej kandidatëve Art Peci Ujkani ose Nezir Ahmeti.


Procesverbali i Komisionit

Duket se gjithçka është kryer në procedurë super të përshpejtuar, pasi që brenda ditës është nënshkruar vendimi për punësimin Arta Peci Ujkani, vajzës së zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv, Muharrem Peci dhe kështu ishte eliminuar nga mundësia e punësimit, Nezir Ahmeti, i cili i ka të përfunduar studimet Bachelor në drejtimin e kërkuar në konkurs dhe është në përfundim të studimeve Master.

Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Mitrovica”, Sami Miftari, në një prononcim për Veriu.info fillimisht ka hezituar te jep informata për rastin, pasi që prej datës 19 maj i kemi kërkuar informata për këtë punësim, por tek dje ka dhënë përgjigje.

I pyetur a është pranuar përmes konkursit Arta Peci Ujkani, vajza e zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv, Muharrem Pecit, Kryeshefi Sami Miftari ka thënë: “Dokumentet i kam këqyr, Arta Peci Ujkani, ka qenë me Master të përfunduar në informatikë. Dokumentet edhe familjare që i ka nxjerrë Muharremi prej kadastrit që ia kam lyp, nuk e ka në bashkësi familjare këtë çikë”.

Ndërsa, pas kësaj përgjigje absurde të tij, që gjendjen civile të personit e lidh me kadastër, i cili është dikaster që merret me tokat, kryeshefi Miftari ka thënë: “Nuk e di unë a është vajza e tij”.

Mirëpo, ku i është prezantuar fotografia e Arta Peci Ujkanit me babain e saj, Muharrem Peci, kryeshefi Miftari e ka konfirmuar se ajo është personi i punësuar. “Është e martume, s’mundemi më e përjashtu dhe i ka plotësu të gjitha kushtet. Baba i saj nuk ka ndiku absolutisht. Tre kanë qenë me Bachelor që kanë konkuru, kjo u kanë me Master dhe ka dalë më e mira gjatë intervistimit”, ka thënë Kryeshefi Ekzekutiv i KRU ‘Mitrovica’, Sami Miftari për Veriu.info.


Arta Peci Ujkani me babain, Muharrem Peci

Ndryshe, Veriu.info ka raportuar se është punësuar dhe këtë muaj ia ka filluar punën në KRU ‘Mitrovica’, Ramadan Sejdiu, ish Drejtori i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, i cili në fund të vitit 2015 ishte përjashtuar nga puna për shkak të skandalit të shkaktuar në Japoni, ku ishte arrestuar për ngacmim seksual gjatë një udhëtimi zyrtar./Veriu.info/

LEXONI PO ASHTU: http://www.veriu.info/skandaloze-i-perjashtuari-nga-ministria-per-skandal-ne-japoni-punesohet-ne-ndermarrjen-publike-e-cila-i-raportonte/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE