Skandali ku Kosova në libra paraqitet si pjesë e Serbisë, reagon ministrja e Arsimit në Shqipëri

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini, ka folur për skandalin e publikuar dje në media, ku në librat shkollorë Kosova në hartë paraqitet si pjesë e Serbisë.

Shahini përmes një postimi në Facebook ka thënë se Kosova është republikë, dhe si e tillë njihet edhe nga Shqipëria, shkruan lajmi.net.

Ajo thotë se gabimi i bërë në këtë faqe të librit është i paqëllimshëm dhe madje s’është i vetmi.

Tutje, Shahini ka bërë të ditur se do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara.

Postimi i saj:

Më erdhi keq kur pashë të postuar në rrjete sociale një faqe të një libri me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit.

Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 23 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate.

Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!

Ky është natyrisht një gabim i paqëllimshëm dhe s’është i vetmi, megjithëse janë bërë përmirësime kolosale në korrigjimin e teksteve shkollore. Por padiskutim që nuk do të duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla në librat shkollorë!

Lajmi i mirë është se kjo ka ndodhur ndërkohë që po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi sivjet është mbyllur procesi i hartimit të librave të rinj.

Pastaj do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë.

SHPËRNDAJE