Skandaloze: Ademi thyen rregullat për mbrojtje ndaj koronavirusit, vazhdon takimet dorë me dorë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK’së), Agim Ademi, po rrezikon shumë pasi po shkel rregullat që janë vendosur për të u mbrojtur nga koronavirusi. Ai sot ka vizituar klubin e futbollit ‘Vllaznia’ në Pozheran, ku kanë qenë të pranishëm një numër i madh njerëzish dhe pa pasur të vendosur fare masa mbrojtëse.

Zyrtarisht deri më sot në Kosovë janë regjistruar 24 raste pozitive me koronavirus, ku si pasojë e kontaktit me njerëz të rezultuar pozitive, shumica e këtyre personave janë infektuar nga ta.

Institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj koronavirusit, ku është kërkuar që të mbahet maskë në gojë, dorëza në duar dhe distancë me personat e tjerë së paku deri në 1 metër, pasi këto e parandalojnë infektimin me COVID-19.

Mirëpo i pari i FFK’së ka shkelur këto rregulla pasi që sot ka vizituar ‘Vllaznin’ e Pozheranit dhe aty është paraqitur pa maskë, dorëza dhe për më tepër nuk ka pasur fare distancë me personat e tjerë.

Në postimin e publikuar nga FFK thuhet se Agim Ademi i është interesuar për gjendjen e futbollistëve dhe punëtorëve sportivë dhe ka shprehur gatishmërinë për t’i ndihmuar për çkado që kanë nevojë në këtë situatë emergjente nga koronavirusi Covid-19.

Gjithashtu në fund të postimit bëhet thirrje që të kihet kujdes, derisa Presidenti i institucionit nuk ka kujdes fare. /gazetametro.net

SHPËRNDAJE