Skenderaj revoltohet për Lushtakun, mendojnë t’i rrokin armët

Përballje të padrejtë me drejtësinë e quajnë banorët e Skënderajt, intervistimin e ish-komandantit të UÇK-së për Zonën e Drenicës, Sami Lushtaku, nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.

I revoltuar deklarohet të jetë Fejzullah Smajli, i cili thotë të ketë menduar të kapë sërish armët, raporton KTV.

Derisa thonë se e mbështesin fuqishëm, banorët e këtushëm theksojnë se ndihen të fyer për këtë padrejtësi që po iu bëhet atyre që luftuan për lirinë, të cilën e gëzojnë sot.

Të tjerët thonë se një Gjykatë Speciale e tillë është dashur të bëhet për serbët, të cilët kanë kryer gjenocid, e jo për ushtarët e UÇK, që sipas tyre, kanë bërë një luftë të drejtë dhe të pastër.

Kundër kësaj gjykate është edhe një ish-bashkëluftëtare e Lushtakut.

Tani deputetja e Kuvendit nga radhët e AAK-së, Time Kadriaj, Specialen e quan gjykatë politike.

Në mbrojtje Lushtakut i ka dalë edhe një bashkëvendas tjetër, presidenti Hashim Thaçi.

Në një postim në Facebook, Thaçi i cili e ka cilësuar si të padrejtë intervistimin e Lushtakut, ka përmendur të vrarët nga forcat serbe në rajonin e Drenicës.

“Sot, padrejtësisht po intervistohet një çlirimtar në Hagë, kurse kriminelët serbë vazhdojnë të shëtisin lirshëm në Serbi dhe botë. Ndaj çlirimtarëve tanë, në emër të drejtësisë ndërkombëtare po bëhet padrejtësia më e madhe”, ka shkruar Thaçi.

Lushtaku ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me 12 vjet burgim për krime lufte, por Gjykata Supreme e kishte liruar nga të gjitha akuzat.