Skënderbeu, figura më e respektuar të historisë kombëtare

Është mbajtur konferenca shkencore ndërkombëtare, kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ku është vlerësua lart figura e tij në unifikimin e popullit shqiptar.

Drejtori i Institutit të Historisë “Ali Hadri” Sabit Syla ka thënë se Gjergj Kastrioti Skënderbeu hyri në skenën e historisë në një moment tepër kritik për Shqipërinë dhe për fatin e Evropës.

Ai tha se nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të lartë të organizuar, e cila shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare.

Kujtimi i Skënderbeut, sipas Sylës, jetoi jo vetëm në zemrën e popullit që e lindi, por vepra dhe figura e tij mori përmasa me rëndësi evropiane. Ai shtoi se Skënderbeu u lartësua nga personalitete të shquara evropiane të kohës.

“Aftësitë e Skënderbeut si burrë shtetit, spikatën edhe në marrëdhëniet me botën e jashtme. Përveç krijimit të marrëdhënieve me shtetet e sferës perëndimore, edhe me shtetin Osman ka përfunduar dy marrëveshje, njëra në vitin 1460 dhe tjetra 1463. Ndërkohë pas luftës për qytetin e Dejës në tetor të vitit 1448 u nënshkrua traktati i paqes me Venedikun. Ky është traktati i parë që njohëm deri tani ku lidhja shqiptare del si subjekt i pavarur në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka thënë Syla, raporton KsP.

Jahja Lluka kryetar i Komisionit Qeveritar për vitin jubilar të Skënderbeut, ka thënë se shqiptarët gjithandej Kosovës dhe popull i saj liridashës është rritur dhe zhvilluar me kujtimin e figurës së madhe historike, me të cilën njohu popullin shqiptar e gjithë bota civilizuese properëndimore.

“Me flamurin e Skënderbeut, shqiptarët kanë prirë në qindra beteja, kanë dhënë mijëra dëshmorë dhe me këtë flamur po dëshmojmë se rruga e vërtetë e lirisë dhe demokracisë është ajo për të cilën luftoi Gjergji ynë deri në frymën e fundit të jetës vet. Ai na trasoi orientimin e sigurt të së ardhmes sonë evropiane dhe properëndimore. Ai realizoj në parim bashkimin e shqiptarëve, Lidhjen e Shqiptarëve në Lezhë, e cila hapi rrugën e krijimit të shtetit të parë të pavarur shqiptarë. Themelues I të cilit ishte ai vet”, theksoi LLuka.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është si njëri nga figurat tona më të respektuara të historisë tonë kombëtare.

Ai tha se si figurë unifikuese Skënderbeu çdo herë ka qenë dhe mbetet adresa kryesore e identifikimit të popullit shqiptar.

“Skënderbeu si njëri nga strategët më të njohur të artit luftarak për 25 vjet rresht arriti që t’i vë themelet e shtetit mesjetar shqiptarë. Edhe për kundër që ai u ndesh me ushtrinë më të fort të kohës, për afër gjysmë dekade ishte I pa thyeshëm dhe pengesa kryesore, që pengoi depërtimin e ushtrisë Osmane ne Evropën perëndimore. Skënderbeu për vite të tëra shërbeu si figura pikënisjeje e proceseve të mëdha të popullit tonë”, theksoi Bytyqi.

Kësaj konference shkencore i kontribuuan edhe përfaqësues nga Shqipëria. Akademik Marenglen Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike të Shqipërisë ka thënë se kudo që jetojnë shqiptarët, viti 2018 ka qenë viti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të cilin e kanë përkujtuar dhe po e përkujtojnë me veprimtari të ndryshme edhe italianët, hungarezët, polakët, austriakët, gjermanët e të tjerë.

“Ai është përmendur me vlerësim të lartë edhe në instancat të larta deri në Kongresin e Shtetit të Bashkuara të Amerikës për vlerat si figurë e njohur botërore. Unë besoj se kjo nuk është pa domethënie, ndoshta ka qenë rastësi, por është fakt se shqiptarët nën flamurin e tyre kombëtar apo shtetëror gjatë gjithë mijëvjeçarit të fundit kanë punuar, luftuar vetëm për paqen, lirinë dhe për një jetë më të mirë”, ka thënë Verli.

Për vitin jubilar të Skënderbeut, institucionet e Kosovës gjatë këtë viti kanë organizuar disa aktivitete dhe deri në fund të vitit do të organizohen edhe shumë veprimtari të tjera.

SHPËRNDAJE