Skuadra e Cardiff mund të dënohet nëse nuk paguan shumën e parave për transferimin e Sala

Të enjten në mbrëmje është konfirmuar se trupi i nxjerrë nga avioni i fundosur në ujë është i futbollistit Emiliano Sala.

Derisa ekipet e futbollit, lojtarët dhe figura tjera sportive po nderojnë Emiliano Salan, Cardiff dhe Nantes kanë filluar një mosmarrëveshje rreth parave të transferimit të sulmuesit.

Menjëherë pas zhdukjes së aeroplanit i cili po barte futbollistin drejt Cardiffit më 21 janar, skuadra britanike kishte ‘ngrirë’ pagesën prej 18 milionë eurove që ishte e destinuar për Nantes, ish skuadrës e Sala.

Të mërkurën, Nantes që shiti Sala te Cardiff, i ka kërkuar Premierligës që të veprohej në përputhje me kontratën e arritur, sepse nëse marrëveshja nuk zbatohet, për britanikët do të kishte pasoja serioze.

“Në qoftë se afatet e caktuara nuk janë përmbushur, të cilat janë të përmendura në kontratën e transferimit, ata mund të shkaktojnë pasoja.

Pasojat mund të jenë të ndryshme, filluar prej tërheqjes së pikëve në Premierligë. Kjo është një situatë e vështirë, ne po flasim për një tragjedi njerëzore dhe një sasi të konsiderueshme të parave”, ka thënë Gianpaolo Monterneri, ish përfaqësues i lojtarëve në FIFA.

Aktualisht Cardiff renditet në vendin e 18-të në Premierligë, dhe ndodhet në rrezik të madh për të rënë nga kategoria.

SHPËRNDAJE