S’ndalen përplasjet, Hoti i kundërpërgjigjet sërish Haradinajt

Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti, i është përgjigjur përsëri Ramush Haradinajt, duke thënë se shuarja e taks forcës antikorrupsion në Policinë e Kosovës nuk e zbeh luftën ndaj korrupsionit. Ka thënë se të gjithë policët që kanë qenë në task forcë do të punojnë sipas udhëzimeve të Prokurorisë Speciale.

Në një postim në Facebook, Hoti ka shtuar të gjithë ata zyrtarë vazhdojnë të kryejnë obligimet e tyre ligjore sipas organizimit të brendshëm të Policisë së Kosovës pa asnjë ndërhyrje nga askush.

“Puna e zyrtarëve që kanë qenë në kuadër të Task Forcës në Policinë e Kosovës vazhdon pa asnjë ndryshim në trajtimin e lëndëve të krimit dhe korrupsionit, sipas udhëzimeve të Prokurorisë Speciale.Të gjithë ata zyrtarë vazhdojnë të kryejnë obligimet e tyre ligjore sipas organizimit të brendshëm të Policisë së Kosovës pa asnjë ndërhyrje nga askush. Kushdo që ka dyshime për këtë, le të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar mbikëqyrje dhe sqarime për punën e secilit”, ka shkruar Hoti.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti janë përplasur sot në distancë me reagime kundër njëri-tjetrit sa i përket shuarjes së Task-Forcës Antikorrupsion.

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, që është partneri kryesor i kryeministrit Avdullah Hoti, sot ka dalë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për shuarjen e kësaj Task-force, gjë kjo që ngjalli reagime të ashpëra me të parin e ekzekutivit.