Sonte kundër Serbisë na duhen 11 Behrama

Gazeta zvicerane ka lavdëruar Valon Behramin për paraqitjen e tij të jashtëzakonshme kundër Brazilit, por ka porositur përfaqësuesen që sonte kundër Serbisë në fushë të jenë 11 lojtarë luftarakë si mesfushori nga Mitrovica.

“Çka nëse serbët provokojnë? Bëhu si Behrami dhe ec duke buzëqeshur? Nëse na bëjnë presion? Bëhu si Behrami dhe duro”, ka shkruar Blick që ka paraqitur formacionin e Zvicrës me lojtarët që kanë pamjen e Behramit, transmeton Koha.net.

“Ky është stili im i lojës. Dhe e bëj me kënaqësi. Ndoshta do të jetë Botërori im i fundit dhe po e shijoj çdo sekondë”, ka thënë Behrami.

Gazeta “Blick” ka shkruar se Behrami paraqitje të ngjashme si kundër Brazilit bëri edhe kundër Ekuadorit në Botërorin 2014 në Brazil.

“Neymarin nuk e la të marrë frymë. Superylli nuk gjeti antidot. Behrami përsëri mori notën 6 nga Blick dhe kritika të mëdha nga mijëra brazilianë – sepse ai ua sulmoi monumentin e tyre”, shkruan gazeta zvicerane.

“Ai gjithmonë rrëzohet, me prekjen më të vogël dhe është ndërhyrje ndaj tij”, ka thënë Behrami për Neymarin.

SHPËRNDAJE