Sot nënshkroi koalicion, por Limaj dikur e quante Behgjet Pacollin si zgjedhja më e keqe për Kosovën

Sot,  AKR ka nënshkruar marrëveshje për koalicion parazgjedhor me NISMA Socialdemokrate, ku të dy këto subjekte politike do të garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet që do të mbahen në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit.

Nënshkrimin e kësaj marrëveshje e kanë bërë kryetarët e dy partive, të cilat ishin që të dyt edhe zëvendëskryeministra në Qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Përderisa sot Pacolli e Limaj u shfaqen si dy miq të mirë, raportet mes tyre historikisht kanë qenë të acaruara, e të cilat kishin kulmuar me rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacollit president i Kosovës vite më parë, kohë kur Limaj ishte pjesë e PDK-së..

Aso kohe, Fatmi Limaj, nënkryetar i PDK-së kishte dalë kundër Pacollit me të gjitha forcat. Ai dhe Jakup Krasniqi ishin kategorikisht kundër zgjedhjes së Pacollit president, raporton Veriu.info

Fatmir Limaj kishte vlerësuar se zgjedhja e Behgjet Pacollit president i Kosovës, ka qenë zgjedhja “më e keqe e mundshme” dhe se do ta dëmtojë edhe më shumë imazhin e Kosovës. Partinë e Pacollit dhe koalicionin e krijuar rreth tij, Limaj e ka quajtur parti “gërvisht dhe fito”.

Në një intervistë për emisionin “Rubikon”, të KTV-së, nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, -ish-ministër i Transportit, pak çaste pas votimit të Pacollit për president të Kosovës, kishte vlerësuar se ka qenë “gabim strategjik” i PDK-së, lënia e postit të presidentit AKR-së, përcjell gazeta online Veriu.info

“Sonte ka qenë zgjedhja më e keqe e mundshme që ka ardhur për momentin. Ka mundur me pasë zgjedhje më të mirë se kjo”, kishte deklaruar Limaj, duke komentuar zgjedhjen e Pacollit president të Kosovës.

“Momentalisht, zoti Pacolli, nuk mund t’i ndihmojë Kosovës. Më shumë e dëmton sesa e ndihmon. Tani me na dalë telashe tjera. Nevoja tjera. Shtypi ndërkombëtar. Të gjitha ato që po na ndodhin”, kishte thënë Limaj.

“Çfarë ka bërë zoti Pacolli për Kosovën deri sot?”, ka pyetur asokohe Limaj. (Lexoni lajmin këtu: http://radiomitrovica.eu/limaj-pacolli-nuk-e-meritonte-kete-post/

SHPËRNDAJE