Specialja ngrit aktakuzat e para, 6 muaj kohë për shqyrtimin e tyre

Dhomat e Specializuara me seli në Hagë të Holandës tashmë kanë nisur një fazë të re. Aktakuzat e para veç se janë ngritur nga ana e prokurorit të Specializuar, e këto të fundit do të bëhen publike pas konfirmimit të tyre. Konfirmimi eventual i aktakuzave nënkupton edhe fillimin e procedurave para trupave gjyqësorë.

Një gjë të tillë e konfirmon, Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës, derisa thekson se Presidenti i Specializuar ka caktuar një gjyqtar të procedurës paraprake të shqyrtojë aktakuzat e paraqitura nga Prokurori i Specializuar. Por, sipas saj përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale në këtë moment.

“Kreu i trupit gjykues ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake që të rishqyrtojë aktakuzat e ngritura nga prokurori i Speciales. Në këtë pikë, aktakuzat e pakonfirmuara janë rreptësishtë konfidenciale. Gjyka tësi i procedurës paraprake ka deri gjashtë muaj kohë të marrë një vendim nëse do të heq ose të pranojë aktakuzën”thuhet në përgjigjen e Angela Griep.

E, avokati Tomë Gashi thotë se është në dorën e gjyqtarit të procedurës paraprake se kur do të vendos për “fatin” e këtyre aktakuzave, që siç thotë ai janë dy që janë ngritur me datën 24 shkurt.

“Dy ditë më herët më 24 shkurt veç kemi të ngritura dy aktakuza, dhe këtë e ka vërtetuar vet dëshmia e prokurorit special në Hagë, që ka kërkuar nga kryetarja e gjykatës që ta caktojë një gjyqtar të procedurës paraprake.

Ai gjyqtar është caktuar, është një gjyqtar francez, dhe varësisht prej punës së këtij gjyqtari dhe stafit të tij, në një periudhë të caktuar kohore që maksimumi sipas ligjit mund të jetë gjashtë mua j, por kështu nuk do të ndodhë. Sepse do të konfirmohet apo jo shumë më herët, do të fillojnë gjykimet.

Që i bie se tashmë kemi veç se të ngritura dy aktakuza dhe është çështje krejtësisht kohore se kur gjyqtari i procedurës paraprake do të vendos me fatin e këtyre akuzave”deklaron Gashi.

Ai thekson se këto aktakuza do të përfshijnë shumë persona, por emrat e tyre nuk mund të dihen aktualisht.

“Një aktakuzë mund të përfshijë disa persona, por emrat e tyre nuk mund t’i dijë askush sepse në këtë fazë të procedurës në Gjykatën Speciale gjithçka është konfidenciale. Nëse eventualisht gjyqtari i procedurës paraprake e konfirmon aktakuzën, atëherë emrat e të akuzuarve do të bëhet publike sepse është obligim i Gjykatës Speciale që pas konfirmimit eventual të akta kuzës, që aktakuza përmes sekretarisë t’i dorëzohet personalisht personit të akuzuar.

Dhe vetëm kur të konfirmohet aktakuza, atëherë një ish-pjesëtar i UÇK-së, mund të quhet i akuzuar, deri më tani janë vetëm të dyshuar, edhe pse aktakuza është ngritur”, shton avokati Tomë Gashi.

Edhe mbrojtësi ligjor i disave nga të ftuarve nga Dhomat e Specializuara, Arianit Koci thekson se aktakuzat janë deponuar. Ai ngrit shqetësimin se fondi që është ndarë nga Qeveria e Kosovës për të ndihmuar familjarët e personave që kanë aktakuza nuk është menaxhuar si duhet.

“Shteti ynë maksimalisht duhet të ndihmojë familjarët e personave të akuzuar. Ata janë më të rëndësishmit, e në rend të dytë pastaj vijnë avokatët. Përndryshe nëse nuk ka të akuzuarit mundësi për të paguar , ata mund të paguhen edhe prej fondit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Kështu që unë nuk e kam brengën tek avokatët, por tek familjarët e personave të akuzuar… Jemi në një fazë të absurdit juridik ku nëse një i akuzuar paraburgoset, familjarët e tij nuk kanë mundësi si çdo i paraburgosur në Kosovë, të vizitojnë por duhet në Hagë ta vizitojë, dhe kjo është një shpenzim i papërballueshëm për familjarët”, thekson Koci.

Edhe Koci flet i bindur se në një aktakuzë do të ketë shumë persona.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati thotë se shqiptimi i aktakuzave, do të jetë sfidë për Qeverinë e Kosovës. Derisa përsërit se kjo gjykatë nuk do të duhej të formohej fare.

“Është një kosto shumë e madhe. Për momentin e dimë që i ka ndarë 2 milionë e diçka qeveria. Që do të thotë se ato dy milionë nuk përmbushin as 10 për qind të atyre shpenzimeve. Ato veç kanë filluar të shpenzohen sepse unë e di se janë paguar disa mjete, disa avokatë janë paguar deri më tash.

Kështu që unë i kisha bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të merr seriozisht këtë punë, të merren me këta shokë tanë, kushdo që shkon atje, të jetë e përgatitur për sfidën që e pret, sepse kjo është sfidë për qeverinë tonë. Qeveria e Kosovës duhet të jetë e përgatitur shumë për këta shokë tanë që do të shkojnë atje”, deklaron Gucati.

Ndër të tjera, Gucati ka theksuar se thirrjet për intervistim nga kjo gjykatë nuk kanë të ndalur.

“Një prej tyre është i hierarkisë së lartë, të nivelit të lartë, që ka qenë në lëvizje popullore, emri i tij do të bëhet publik tek nesër. Ashtu jemi marrë vesh me kolegun, që nesër do të bëhet publik. Ka qenë i profilit të lartë, në hierarkinë e luftës së parë të lëvizjes popullore që ka qenë…Ka qenë në pushtet, i njohur para lufte, tani nuk është në pushtet, por emri do të bëhet publik nesër”, shton Gucati.

Sipas tij, gjuha fyese e përdorur gjatë këtyre ditëve nga vetë ish-ushtarët e Luftës Çlirimtare të Kosovës, nuk do të zbeh imazhin e pastër të UÇK-së. Megjithatë, Hysni Gucati deklaron se kjo gjuhë nuk i bën mirë Kosovës.

Gjykata Speciale u krijua në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, për të gjykuar krimet e kryera nga anëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998-1999.

SHPËRNDAJE