“Stafi shëndetësor është i stërlodhur dhe i mbingarkuar”

Stafi shëndetësor është stërlodhur dhe është i mbingarkuar pas rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus në Kosovë.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë, Blerim Syla, i cili thotë se deri para dy ditësh, 257 punëtorë shëndetësorë janë konfirmuar me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi, por që sipas tij, ky numër tashmë mund të ketë arritur deri në 300.

“Unë nuk dua të përhap panik që është duke dalë situata prej kontrollit, mirëpo unë mund të them se jemi duke i stërmbushur kapacitetet, ato që i kemi ne. Sipas statistikave që i posedon Federata Sindikale e Shëndetësisë, në Kosovë i kemi të përgatitur diku 401 shtretër, në krejt Kosovën, sa i përket atyre që duhet të trajtohen me COVID-19.Mirëpo, problemi qëndron te stafi sepse ky staf është stërlodhur dhe është i mbingarkuar”, thotë Syla.

Syla thotë se i gjithë problemi qëndron se Kosova nuk ka staf të mjaftueshëm që të trajtojë pacientët me COVID-19.

“Sa i përket situatës nëpër klinika, ju e dini që ka pasur disa tendenca për dhënien e shërbimeve edhe nëpër spitale të tjera. Mirëpo problem e kemi sepse nuk kemi shumë staf.

Po ua marr rastin e Gjakovës. Atje pardje kemi pasur katër punëtorë shëndetësorë të infektuar, ndërsa kemi nëntë pacientë që janë duke e marrë trajtimin. Pra, situata nuk është e mirë, është një situatë goxha e rëndë dhe kjo është pasojë e të gjithëve”, thotë Syla për Radion Evropa e Lirë.

Të shtunën, Kosova ka regjistruar tetë të vdekur dhe 178 raste të reja me koronavirus, që shënon ditën me rekordin më të keq brenda një dite sa i përket viktimave dhe të infektuarve.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bëri apel po ashtu që qytetarët të respektojnë rekomandimet, si: mbajtjen e maskave, mbajtjen e distancës dhe ruajtjen e higjienës, pasi sipas këtij Institutit, duke respektuar këto rregulla, ruhet edhe shëndeti i qytetarëve.

Qeveria e Kosovës të mërkurën vendosi disa masa shtesë për mbrojtjen nga koronavirusi, përshirë edhe ndalesën e grumbullimit të më shumë se 50 personave në ambiente të hapura dhe të mbyllura.

Rastet e para me koronavirus në Kosovë u regjistruan më 13 mars.

Që atëherë, deri më 4 korrik, sipas të dhënave të publikuara nga IKSHPK, 3,356 persona janë infektuar me koronavirus. Prej tyre, 66 kanë vdekur, 1,874 janë shëruar dhe 1,416 persona vazhdojnë të jenë aktivë me koronavirus./rel/

SHPËRNDAJE