Statuti i FFK’së nuk lejon persona me vepra penale, pozita e Presidentit Ademi në dyshim

Statuti i Federatës së Futbollit të Kosovës nuk lejon kryetar me vepra penale, gjë që e vë në dyshim të ardhmën e Agim Ademit, të cilit sot iu vërtetua dënimi me 9 muaj burg efektiv për veprën që po hetohej nga viti 2012.

Agim Ademi dhe Muharrem Rama ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprën penale të detyrimit në tentativë, në korrik të vitit të kaluar.

Sot (e mërkure) dënimi iu vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit, e cila i konsideroi si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe avokatëve mbrojtës.

Dhe, sipas statutit të Federatës, një zyrtar nuk mund të jetë pjesë e organeve të FFK’së nëse ka aktgjykim të plotëfuqishëm për vepra penale./GazetaMetro

Kujtojmë që Agim Ademi dhe Muharrem Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit ‘BMW X5’, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

SHPËRNDAJE