SUPERLAJM: Këto do të jenë pagat në FSK, nga më e ulëta deri tek më e larta

Qeveria e Kosovës ka përgatitur një projektligj të ri për pagat, në të cilin janë të përfshirë edhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës

Pas premtimeve se kjo forcë do bëhet ushtri, pritet që edhe pagat të ndryshojnë.

Në këtë dokument parashihet që paga më e lartë në FSK të jetë 1.912 euro. Ajo i përket Komandantit të FSK-së, apo gjeneralletënantit. Kjo pagë është ekuivalente me atë të shefit të stafit në kabinetin e presidentit, kryeministrit, kryeparlementarit dhe Gjykatës Kushtetuese. Pas tij vjen gjeneralmajori, paga e të cilit është llogaritur me koeficient 6.50, apo shprehur në të holla 1.553,5 uro.

Duhet pasur parasysh që vlera e një koeficienti është përcaktuar të jetë 239 euro. I treti në listë është gjeneral brigade. Me koeficient të pagës 5.70, paga e tij do të jetë 1.362,3 euro. Koloneli, siç shkruan AktivPress, parashihet ta ketë pagën 1.242 euro, ndërsa nënkoloneli 1,123 euro.

Në rëndë vijnë Majori dhe Kapiteni. I pari parashihet ta ketë pagën 1.027 euro, ndërsa i dyti 932 euro. Rreshteri i parë është llogaritur të ketë pagë po aq sa të kapitenit me koeficient 3.90. Ndërsa Rreshtermajori dhe Togeri parashihen të kenë pagën 836.5 euro.

Ata pasohen nga Kapteri dhe Nëntogeri me pagë prej 764.8 euro. Në listë është Rreshteri me pagë  513.85 euro. Një shkallë më ultë është Tetari, i cili parashihet ta ketë pagën 478 euro.

I parafundit në listë është Ushtari në FSK, paga e të cilit llogaritet se do të jetë 430 euro. Pa pagë nuk do të jetë as rekruti. Qeveria ka planifikuar që atij t’i jepen 239 euro në muaj. /AktivPress

SHPËRNDAJE