‘Supermeni’ i Universitetit të Gjilanit mban katër pozita në këtë institucion

Xhevdet Thaçi ushtron katër funksione në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”.

Mësohet se Thaçi është prorektor për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje me Studentët. Ai gjithashtu mban pozitën e ushtruesit të detyrës së dekanit të Fakultetit të Shkencave Aplikative. Thaçi po ashtu është anëtar i Senatit të Universitetit të Gjilanit.

Emri i tij figuron edhe në listën e profesorëve të rregullt në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në këtë universitet.

Se Thaçi mban këto pozita, figuron edhe në webfaqen e këtij universiteti.

Lidhur me këtë rast Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në e-mailin zyrtar të Universitetit “Kadri Zeka”, por ende nuk ka pranuar përgjigje.

Ndërsa, Xhevdet Thaçi përmes telefonit tha se pozitat e prorektorit dhe anëtarit të Senatit janë të rregulluara me statut të Universitetit të Gjilanit.

“Çdo prorektor sipas funksionit është edhe anëtar i Senatit. Nuk mund ta marrësh ndonjë pozitë nëse nuk je profesor i rregullt në Universitet. Statuti i Universitetit të Gjilanit e parasheh se nga stafi akademik, d.m.th profesorët e rregullt mund të zgjedhet dekani, prodekani, të gjitha këto pozita në universitet”, sqaroi Thaçi.

Ai tha se pozita e prorektorit është e përkohshme derisa të përfundojë procesi i themelimit të Fakultetit të Shkencave Aplikative.

“Është veç një pozitë, ajo e prorektorit për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje me Studentë, e cila pozitë është ende në proces, derisa të përfundojë procesi i themelimit të fakultetit të ri të Shkencave Aplikative”, sqaroi tutje Thaçi.

Prej tetorit të këtij viti, Xhevdet Thaçi, paguhet si ushtrues i detyrës së dekanit të Fakultetit të Shkencave Aplikative, ndonëse procesi i themelimit të këtij fakulteti nuk ka përfunduar ende.

“Dikush duhet t’i kryejë disa punë fillestare. Jemi në proces të themelimit të Këshillit të Fakultetit të Shkencave Aplikative dhe shumë shpejtë do të përfundohet, se rektori është në udhëtim jashtë vendit në udhëtim zyrtar, po presim derisa të kthehet dhe shume shpejtë do të përfundojë ajo punë. Ushtrues detyre i dekanit jam prej tetorit, dhe sigurisht që kam marrë pagë”, tha Thaçi.

Zgjedhja e Thaçit prorektor është kumtuar përmes një njoftimi të këtij universiteti, që mban datën 13 nëntor 2019, anipse Gazeta Sinjali mëson se ky vendim nuk është nënshkruar nga Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Ibrahim Kosumi.