Taksitë ilegal ngrisin çmimet e transportit pas aksionit të Inspekcionit komunal

Ditë më parë, Inspekcioni i Komunës së Prishtinës, ka nisur një aksion ndaj taksive ilegalë që qarkullojnë në trafik.

Aksioni nuk iu kishte pëlqyer taksistëve ilegalë të cilët veprimet e tyre i kishin arsyetuar me mos ofrimin e kushteve për punë.

“Për t’u pajisur me leje është procedurë e gjatë dhe e shtrenjtë, kështu që rrezikojmë në këtë mënyrë për të siguruar të holla me të cilat i mbajmë familjet tona”, ka thënë njëri nga taksistët për Ballkani.info.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Prishtinë, Adonis Tahiri përmes postimeve në rrjetin social Facebook ka njoftuar qytetarët se ky aksion i Inspekcionit komunal po bëhet për shkak që të rritet numri i qytetarëve që përdorin Trafikun Urban.

Si duket, humbësit më të mëdhenjë në këtë situatë janë qytetarët që udhëtojnë nga rrethina e kryeqytetit.

Njëri nga studentët që udhëton pothuajse çdo ditë nga Podujeva për në Prishtinë, ka thënë për Ballkani.info se janë shtuar vonesat e autobusëve ndërsa taksitë ilegal të cilët më herët i ka paguar nga një euro për transport, pas fillimit të aksionit të Inspekcionit komunal po i kërkojnë nga dy ose tri euro për të njejtën rrugë. /Ballkani.info

SHPËRNDAJE