Të hënën pritet të nënshkruhet marrëveshja, këto do të jenë 12 ministritë e kabinetit të Qeverisë Kurti (DOKUMENT)

Pas takimit të sotëm mes kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës, u konfirmua se tashmë dy liderët janë pajtuar se kabineti qeverisës do të përbëhet nga 12 ministri.

Gjatë këtij takimi sipas njoftimit të Lëvizjes Vetëvendosje është përmbyllur 100 për qind harmonizimi i programit qeverisës duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura, duke përfshirë këtu edhe për versionin e e parë që ishte ofruar në lidhje me kabinetin qeverisës prej 12 ministrive.

Periskopi ka siguruar një listë të këtyre ministrive, ku shihet se shtatë nga 21 ministritë që kishte Qeveria Haradinaj, do të vazhdojnë punën si të tilla.

Këto ministri janë: Ministria e Drejtësisë, Arsimit, Shëndetësisë, Mbrojtjes, ministria për Kthim dhe Komunitete, ajo e Bujqësisë si dhe e Kulturës, Rinisë e Sportit.

Ndërsa Ministrisë së Jashtme do t’i bashkohen ministria e Diasporës dhe ajo e Integrimeve Evropiane.

Një Ministri e cila do të përfshijë Ministrinë e Inovacionit, Ministrinë e ekonomisë si dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë e që do të emërohet Ministria për Ekonomi e Zhvillim.

Gjithashtu Ministria e infrastrukturës do të bëhet bashkë me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, kurse ajo e financave me Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Pra, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të ndahet në dysh, pjesa e Punës i bashkohet Ministrisë për Ekonomi dhe Zhvillim, ndërsa pjesa e Mirëqenies Sociale i bashkohet Ministrisë së Financave.

Ministria e Brendshme po ashtu do të ketë edhe Ministrinë e Administratës Publike dhe Pushtetit Lokal.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa sot gjatë takimit janë pajtuar që në vazhdim do të përzgjedhin përgjegjësitë në qeverisje, ndërsa pritet që marrëveshja të përmbyllet të hënën.

Deri te kjo marrëveshje erdhën dy partitë pas shumë takimesh mes grupeve punese të dy partive dhe liderëve të tyre të cilat nisën para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit. /Periskopi