Të mos i gëzohemi Gjykatës Speciale! UÇK-ja na e solli lirinë

Shkruan: Sadik Zeqiri

Tashmë që po pritet fillimi i punës së Gjykatës Speciale, me seli në Holandë, dhe kur pritet të bëhen publike dhe aktakuzat e para ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, pavarësisht se cilit rang i takojnë ata, ushtar apo udhëheqës të lartë të saj, mediet, qytetarët (naivë), por dhe hastretxhinjtë dalin me emra spekulues dhe me lutje e gëzim të paparë. Ata po shfaqen plot ekzaltim, se do të ngritën aktakuzat e para.

Është për t’u dhimbsur kjo shtresë njerëzish, të cilët jetojnë të lirë që nga paslufta e deri më sot, kjo shtresë hastretxhinjësh, të cilët ia kanë pa hairin lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, po nga sakrifica e këtyre ushtarëve të lirisë, pa të cilët as që do të nisej lufta e as që do të çlirohej Kosova nga thundra serbe.

Themelimin e Gjykatës Speciale e kanë votuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, me qëllimin më të mirë, që njëherë e përgjithmonë të pastrohet lufta e UÇK-së para bashkësisë ndërkombëtare, dhe që të gjitha akuzat e pretenduara nga Serbia dhe spiunët e vegjël të saj, të vërtetohet se kanë qenë akuza politike dhe që kanë pasur për qëllim vetëm e vetëm njollosjen e luftës sonë për liri dhe të drejtuesve më të lartë të UÇK-së.

Prandaj, në qoftë se i ngritët aktakuzë vetëm një ushtari të thjeshtë, që ka bërë vetëm rojë fshati apo ka sjellë njëherë armë për ushtarë të tjerë, e lëre më strukturave organizative e udhëheqëse të UÇK-së, ne duhet të ndihemi keq si shoqëri, sepse dikush po mundohet ta njollosë luftën tonë të drejtë e të pastër.

Një gjë duhet menduar mirë, ne, si shoqëri, se pa prijësit e luftës dhe, të cilët, pas luftës i kanë drejtuar institucionet e Kosovës, republika jonë nuk është e sigurt. Këta janë mburoja e shtetit tonë, që me mund e gjak e ndërtuam. Andaj, duhet të jemi në përkrahje, edhe morale edhe kombëtare, të kujtdo qoftë që do të ketë punë me këtë tribunal, i cili është krijuar padrejtësisht dhe vetëm për t’i hetuar e sajuar krimet e kryera gjoja nga UÇK-ja, gjatë luftës në Kosovë. Nën juridiksionin e këtij tribunali, gjithashtu, askund nuk janë krimet e kryera në mënyrë sistematike, e me një organizimin shtetëror ndaj mijëra civilëve shqiptarë, nuk janë autorët e shumë masakrave, vrasjeve e djegieve të gjithë pasurisë së shqiptarëve të Kosovës.

Të mos të harrojmë, se ka shumë e shumë masakra që fare nuk janë të ndriçuara. Ka shumë viktima, trupat e të cilave ende janë të pagjetur. Të mos e harrojmë masakrën e Mejës, Masakrën e Krushës, Masakrat e Qirezit, Likoshanit, Studimes, Reçakut, Qyshkut, Lubeniqit, Masakrën e Burgut të Dubravës, e shumë e shumë krime të tjera, të kryera nga regjimi pushtues serb në Kosovë.

Për ndriçimin e këtyre masakrave, asgjë nuk është bërë deri më tani. Ky tribunal është dashur që të mos jetë selektiv, por të jetë tribunal për të gjithë.

Ne, të gjithë, duhet të festojmë në qoftë se themelohet një gjykatë që ka për detyrë të bëjë përndjekjen e personave të çfarëdo shtrese, për krime ekonomike, dhe duhet lutur ditën e natën që këta persona të dalin para drejtësisë si dhe ta marrin dënimin e merituar e, pse jo, që edhe t’iu konfiskohet pasuria, nëse vërtetohet që ajo është bërë në mënyrë të dyshimtë dhe të paligjshme.

Me krimet ekonomike duhet marrë edhe mediet e qytetarët, si dhe të gjithë fejsbukxhinjtë e analistët, si dhe të dëmtuarit ekonomikë, por brumin të Speciales i aplaudojnë veç armiqtë tanë dhe të lirisë sonë, shpifësit dhe njollosësit e luftës sonë, me seli përmbi Shumadi dhe përmbi Karpatet ruse, si dhe argatët e tyre, puthadorët e regjimeve antishqiptare, që kokë, këmbë, zemër e shpirt i kanë andej.

Andaj, ndaleni apllauzin dhe tifozllëkun për Specialen!

Ose, të paktën, përmbahuni!

SHPËRNDAJE