Të rinjtë vushtrrias i përgjigjen aksionit ‘Ta pastrojmë Vushtrrinë’

Qindra të rinj nga Vushtrria por edhe lokalitete tjera të Kosovës, i janë bashkuar vullnetarisht aksionit për pastrimin e qytetit të Vushtrrisë, në të cilin kanë marrë pjesë edhe ministri i mjedisit Fatmir Matoshi dhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri.

Duke treguar mbështetje për aksionet e shumta të pastrimit që po bëhen në Vushtrri por edhe për fillimin e menaxhimit të mbeturinave shtëpi më shtëpi, ministri i Matoshi, ka paralajmëruar se përmes donatorëve Qeveria e Kosovës ka një fond të madh mjetesh financiare të cilat do të përdoren nga Komunat në menaxhimin e mbeturinave. “Dje kemi nënshkruar një marrëveshje me GIZ-in dhe si ministri zotohemi të investojmë edhe 3.5 milionë të tjera në menaxhimin e mbeturinave kryesisht për komunat e Kosovës. Do të jenë grante që do t’iu ofrohen komunave të Kosovës dhe bashkë me këto 3.5 milionë të ministrisë janë rreth 17 milionë tjera të MAPL-së, donatorëve të tjerë do konsolidojmë një grant prej 20 milionë euro në menaxhim të mbeturinave”, tha Matoshi.

Nga ana tjetër kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri duke falënderuar gjithë të rinjtë vullnetarë që e kanë mbështetur këtë aksion, tha se objektivi i aksionit të sotëm është që të largohen 5 mijë thasë mbeturina dhe diku janë 50 tonë mbeturina nga deponi në periferi të qytetit, përtej varrezave të vjetrave të qytetit.

Gjithashtu ai ka folur edhe për reformat të mëdha në menaxhimin e mbeturinave që po bën Vushtrria. “Vushtrria ka bërë një sërë reformash sa i përket menaxhimit të mbeturinave. Sivjet për herë të parë në çdo shtëpi shkon shërbimi i mbledhjes së mbeturinave, në çdo shkollë kemi ndarjen e mbeturinave në burim. Sot jemi në aksion të përbashkët edhe me të rinj por edhe me kompaninë “Uniteti”, për t’i dhënë një shtytje më të madhe dhe mbështetje në mbrojtjen e ambientit”, tha Tahiri.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se së shpejti do të shpërndahen edhe 4500 kontejnerë për ekonomitë familjare në gjithë territorin e Vushtrrisë.

Edhe Luan Hasanaj nga “Let’s Do It Kosova” tha se aksionet si ky në Vushtrri po japin një mesazh të fortë se Kosova po pastrohet dhe duket se Kosova përfundimisht po ndahet nga mbeturinat. /Veriu.info/ 

 

SHPËRNDAJE