Të sapomartuarit vdesin në aksident me helikopter duke u larguar nga dasma

Një çift i ri nga Teksasi vdiqën kur helikopteri me të cilin po largoheshin nga dasma e tyre u rrëzua të shtunën në mbëmje, sipas të dhënave të zyrtarëve policorë. Will Byler dhe Bailee Ackerman Byler ishin studentë në Universitetin “Sam Houston”. Vdekja e tyre së pari u raportua nga një gazetë studentësh. Rrëzimi i helikopterit ndodhi afër qytetit Uvalde, 135 kilometra në perëndim të San Antonios.

Mysafirët e dasmës publikuan ngushëllimet e tyre në rrjetet sociale, ku shiheshin edhe fotografi të dasmës. “Jam tërësisht i tmerruar”, shkroi një mik i tyre në Facebook, duke shtuar se edhe piloti i helikopterit ka vdekur në aksident. Përmes një deklarate, kryetari i studentëve të universitetit tha se çifti i studentëve do të kujtohet gjithmonë për zemrat e tyre të mëdha dhe shpirtat frymëzues.

Një mik tjetër i tyre shkroi në Instagram: “Jam i qetë për shkak se e latë këtë botë duke qenë plot lumturi dhe dashuri. Sa bukur që do ta kaloni muajin e mjaltit në parajsë.” Çifti ishin martuar vetëm një orë para se helikopteri i tyre të rrëzohej. Sipas gazetës studentore “The Houstonian”, Will Byler ishte duke studiuar inxhinieri bujqësore dhe ishte anëtar i skuadrës së rodeos. Bailee Ackerman Byler ishte duke studiuar komunikim bujqësor dhe të dy ishin në vitin e fundit të studimeve.

Sipas Institutit Kombëtar të Sigurisë në Trafik, në aksident u përfshi helikopteri i tipit “Bell 206B”. Skena e aksidentit u zbulua të dielën në mëngjes. Policia lokale deklaroi se kishte disa viktima, por nuk i publikoi emrat e tyre zyrtarisht. Ndërkaq, piloti i helikopterit ishte Gerald Lawrence, i cili ishte i shtyer në moshë dhe kishte shërbyer në Luftën e Vietnamit, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Përktheu: Nasuf Abdyli

SHPËRNDAJE