Telekomi i Kosovës një hap afër shkatërrimit, Z-Mobile tash ia kërkon me gjyq 30 milionët

Z-Mobile po provon që t’i nxjerr përmes Gjykatës 30 milionë eurot që i detyrohet Telekomi pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në favor të Z-Mobile.

Kjo edhe përkundër se menaxhmenti i operatorit mobil, që është pronësi i Devollëve, ishte deklaruar publikisht se nuk e duan shkatërrimin e Telekomit dhe se nuk do t’i kërkojnë 30 milionë eurot.

Ky premtim mbeti vetëm një paraqitje publike e biznesmenëve që dërrmuan Telekomin.

Z-Mobile ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës kërkesën që Telekomi i Kosovës t’ia paguaj gjobën rreth 30 milionë eurove.

Kompania publike i ka borxh Z-Mobile’it për shkak se në dhjetor të vitit 2016 ka dalë fajtore për mospërmbushjen e marrëveshjes mes tyre.

E, në maj të vitit 2017, menaxhmenti i Z-Mobile dhe ish-shefi ekzekutiv i Telekomit, Agron Mustafa, dolën me një paraqitje publike ku thanë se do ta shpëtonin Telekomin dhe Z-Mobile nuk do t’i kërkonte 32 milionët e fituara nga rasti në Arbitrazh.

Tashmë Telekomi niste në gjendje tejet të rëndë financiare dhe e kishte të pamundur që të paguante gjobën.

Menaxhmenti i Z-Mobile bashkë me Agron Mustafën u morën vesh që të bënin një marrëveshje tjetër që ishte po aq e dëmshme sa gjoba rreth 30 milionë eurove.

Në pamundësi për ta paguar gjobën, Telekomi do të zhvatej edhe më shumë sepse sipas marrëveshjes së re, Telekomi kishte obligime shtesë ndaj Z-Mobile.

Sidoqoftë, Z-Mobile u tërhoqën dhe më nuk po u interesonte gjendja e Telekomit. Express publikoi në maj të këtij viti një letër-ultimatum, ku Z-Mobile kërkonte me çdo kusht borxhin, në të kundërtën do të kërkonin edhe kamatë të lartë.

Tash kërkesa e Z-Mobile është shtruar edhe në departamentin e Çështjeve Ekonomike të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në dhjetor në vitit 2016, Gjykata e Arbitrazhit vendosi në favor të Z-Mobilet kundër Telekomit, për shkak se u konstatua se kompania publike nuk i ka përmbushur obligimet e marrëveshjes që ka me Z-Mobile prej vitit 2009.

Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i detyrohej Z-Mobilet me rreth 30 milionë euro, pagesa e të cilave do të vuloste falimentimin e Telekomit që edhe ashtu është e shkatërruar financiarisht. /Express

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE