Telekomi ka arritur në stadin e fundit të falimentimit, Kryeshefi Gent Begolli hesht

Nga një ndërmarrje publike, që parashihej të shitej nga 300 deri 600 milionë euro, vlera e Telekomit të Kosovës ka rënë në vetëm 22 milionë euro, dhe atë më gjithë infrastrukturën përcjellëse.

Infrastruktura, e cila bazuar në deklarimin e vetë kryetares së Bordit të Telekomit, është para rënies për shkak se nuk është investuar asnjëherë në të.

Dhe vjetërsia e saj, sipas Besa Shatri Berishës është fajtori kryesor që Telekomi nuk arriti të zbatojë marrëveshjen me Z-Mobile, që do t’i shpëtonte asaj rreth 30 milionë euro, nëse do të arrinte të furnizonte me shërbimin 3G dhe 4G për rreth 40 mijë klientët të këtij operatori virtual.

Kohavisioni ka siguruar korrespodencat e fundit të Dardafon.net me Bordin e Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, ku ia numëron rreth 7 afate të përcaktuara nga vetë Telekomi për respektimin e marrëveshjes, e të shkelura nga po ai.

Kjo gjë e ka shtyrë këtë operator që të bëjë lajmërimin e fundit për shkëputjen e marrëveshjes së arritur më 24 maj të 2017-s.

“Më 3 tetor 2018, nga Telekomi na është kërkuar edhe një afat shtesë për deklarim të Bordit në lidhje me atë se a e miratojnë Marrëveshjen për Ekzekutimin e Vendimit Final të Arbitrazhit, si dhe është kërkuar nga Z-Mobile vetëpërmbajtje nga procedurat e aplikimit të ligjshmërisë. Mirëpo, kjo kërkesë vjen pasi që Telekomi e kishte shkelur edhe afatin e dhënë prej vetë atyre, e që ishte 10 shtatori. Për Z-Mobile kërkesa është e pakuptimtë. Kurse, në çdo ditë që kalon, edhe Telekomi nuk përmbush obligimet, Z-Mobile vazhdon ta ketë tepër të vështirë operimin”, thuhet në letrën e kësaj kompanie, që mban datën 15 tetor 2018.

Nëpërmjet telefonit, kryetarja e Bordit të Telekomit, Besa Shatri Berisha, i ka thënë Kohavisionit se janë njoftuar tashmë nga Gjykata se Z-Mobile ka dorëzuar kërkesën për zbatimin, njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit, që nënkupton pagesën direkt të pagesës se caktuar në Arbitrazh.

“Gjasat e pagesës së gjithë borxhit përnjëherë janë minimale. Edhe nëse shkohet me falimentim, ky borxh nuk mund të mbulohet, për shkak se neto pasuria e Telekomit në këto momente është rreth 22 apo 23 milionë euro. Sikur Telekomi të ishte në gjendje të paguajë, ne do t’i kishim paguar ato, por dihet që jemi në një gjendje jo të mirë financiare. Një vendim i mundshëm i gjykatës që ky vendim të ekzekutohet e sjell në falimentim të menjëhershëm Telekomin. Çka nënkupton se rrezikohen 2,400 punëtorë dhe familjet e tyre, dhe do të ballafaqohemi me një krizë sociale”, ka thënë Shatri Berisha.

Një tjetër kërkesë që Telekomi nuk ka arritur ta përmbushë është edhe fakti që nuk arriti t’ia liferojë më 8 gusht, 50 mijë SIM kartela për Z-Mobile, pavarësisht që ky i fundit i kishte paguar 50 mijë euro për një porosi të tillë.

Kohavision bazuar në burime të afërta me zhvillimet në Telekom, mëson se Telekomi pati probleme edhe me Monako Telekom, të cilit i ka borxh rreth 5 milionë euro, andaj ajo i mori paratë e Z-Mobile për një nga borxhet e vjetra.

Tutje Z-Mobile, ka akuzuar edhe kryeshefin e Telekomit për neglizhencë dhe kërcenim ndaj këtij operatori, që në vend që të propozonte zgjidhje më 29 qershor i kishte kërcënuar ata.

Kohavision ka provuar të marrë qëndrimin e Kryeshefit Gent Begolli, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve të televizionit.

Sidoqoftë, për çështjen është njoftuar edhe vetë kryeministri, derisa Komisioni ndërministror me referencën e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka themeluar një Task Forcë për të tejkaluar krizën.

Ky komision, sipas kryetares së Bordit të Telekomit, është i përbërë nga juristë dhe detyra e tyre është të analizohet në tërësi kontrata me Z-Mobile dhe të gjitha mundësit që të dilet nga kjo situatë.

Telekomi aktualisht ia ka borxh Z-Mobile rreth 23 milionë euro për dëmet që, sipas Gjykatës së Arbitrazhit, iu shkaktuan shkaku i mosrespektimit të marrëveshjes së nënshkruar më 2008.

Deri tash, Z-Mobilet i janë paguar mbi 7 milionë euro, prej të cilave 4.5 milionë euro janë para të gatshme, ndërsa rreth 2 milionë euro janë zbritur nga 27 përqindëshi i të hyrave që Z-Mobile detyrohet t’ia paguajë Telekomit./KTV

SHPËRNDAJE