Termokosi lëshon ngrohjen më herët nëse bien temperaturat tri ditë radhazi

Sot që nga orët e hershme të mëngjesit ka filluar të bie bora e parë në gjithë vendin. Në kryeqytet ka rënë me një intensitet më të ulët, ndërsa në viset rurale bora ka arritur trashësinë deri në disa centimetra. Përkundër temperaturave të ulëta prishtinasit do të presin të paktën edhe shtatë ditë deri në datën zyrtare kur Termokos e lëshon ngrohjen për banorët e Prishtinës.

Megjithatë rregullorja sqaron se në qoftëse tri ditë radhazi mbretërojnë temperatura të ulëta ngrohtorja mund të lëshohet edhe para datës zyrtare që është 15 tetori.

Rregullorja e ngrohtores “Termokos” sqaron se sezoni i ngrohjes fillon më 15 tetor dhe mbaron më 15 prill të vitit vijues.

Mirëpo në rast se temperaturat e ulëta mbretërojnë për tri ditë radhazi para afatit ligjor për fillimin e sezonit ngrohës, në bazë të disa parakushteve me aktet ligjore në fuqi lejohet furnizim i jashtëzakonshëm me ngrohje maksimalisht nga data 1 tetor.

“Bazuar në aktet ligjore në fuqi, në varësi të kushteve klimatike, sezoni i ngrohjes mund të shkurtohet ose të zgjatet. Në rast se kushtet klimatike janë të favorshme sezoni ngrohës mund të fillojë pas datës 15 tetor ose të përfundojë para 15 prillit të vitit vijues”, thuhet në përgjigjen e Termokos, transmeton Gazeta Express.

Ende nuk dihet se a do të lëshohet ngrohtorja para datës 15 tetor përkundër temperaturave të ulëta që po mbretërojnë në vend. Ndërsa, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës nesër pritet të ketë reshje shiu të intensitetit mesatar. Në viset malore reshjet e shiut kanë mundësi të jenë të përziera me borë.

Risi për këtë sezonë të ngrohjes janë edhe kontratat e veçanta që secila shtëpi ose banesë do ti nënshkruajë me Termokos. /Gazeta Express

SHPËRNDAJE