Tetë milionë peshq ngordhin nga përhapja e algave në Norvegji

Rreth tetë milionë peshq të rritur në mjedise të kontrolluara nga njeriu kanë ngordhur në pjesën veriore të Norvegjisë gjatë javës së kaluar si rezultat i përhapjes së madhe dhe të vazhdueshme të algave. Disa ekspertë thonë se kjo dukuri mund të jetë nxitur nga ndryshimet e klimës.

Norvegjia është prodhuesja kryesore e peshkut salmon dhe përhapja e algave pritet të ketë ndikim të madh ekonomik në këtë shtet skandinav.

Sipas deklaratës së Drejtorisë Norvegjeze të Peshkimit, sasia e peshqve të ngordhur është rreth 11600 tonë, të cilët do të shiteshin për më shumë se 82 milionë dollarë amerikanë. Megjithatë, një grup industrial, i quajtur “Këshillimi Norvegjez i Ushqimit të Detit”, tha se kjo sasi mund të jetë shumë më e lartë.

“Shifrat preliminare dëshmojnë se i kemi humbur tetë milionë peshq, që do të thotë se 40 mijë tonë nuk do të dalin në treg”, tha Dag Sorli, zëdhënës i këtij këshilli. Ai tha se humbjet kanë shkuar në vlerën e 250 milionë dollarëve amerikanë.

Sidoqoftë, kjo humbje paraqet vetëm 1 për qind të prodhimit vjetor të vitit të kaluar, kur Norvegjia kultivoi rreth 1.3 milionë tonë të salmonit, sipas Sorlit. Deri tash, nga përhapja e algave janë prekur nëntë kompani të peshkimit në rajonet e Tromsit dhe Nordlandit.

Algat detare, të cilat janë organizma mikroskopikë në formë të fitoplanktoneve, zakonisht nuk janë të dukshme në rrethana të zakonshme. Megjithatë, kur rrymimi i ujit është i ngadalshëm dhe temperatura e tij ngritet, numri i tyre mund të rritet tepër, shkruan “New York Times”, transmeton Gazeta Express.

SHPËRNDAJE