Teuta Rugova ia kthen shpinën LDK’së, i bashkohet Veselit

Deputetja e LDK-së, Teuta Rugova ka vendosur që t’i bashkohet delegacionit të Kuvendit të Kosovës që partia e saj e ka quajtur tur turistik. Së bashku me disa prej shefave të grupeve parlamentare në krye me kryeparlamentarin Kadri Veseli, delegacioni kosovarë po qëndron nëpër disa vende të Evropës ku pritet të bëjnë lobim për liberalizimin e vizave.

Teuta Rugova është bërë pjesë e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në kryeqytete evropiane, për të lobuar për liberalizim të vizave. Por, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kjo parti nuk i bashkohet turit lobues – turistik të Kryetarit të Kuvendit sepse konsideron se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla.

Kësisoj, ajo edhe njëherë ka dalur kundër qëndrimeve të partisë së cilës i përket.

“Për të kontribuuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, Kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit të Kosovës për të aprovuar ligjet që janë të lidhura me MSA-në dhe në mënyrë specifike me Agjendën e Reformave Evropiane. Si kryetar i partisë në koalicion, Kryetari i Kuvendit duhet të kujdeset që Qeveria të përmbushë obligimet karshi agjendës për integrim evropian të Kosovës.

Për informim të opinionit, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare nga Kryetari i Kuvendit lidhur me qëllimet e këtij udhëtimi, agjendë të takimeve dhe detale të tjera të rëndësishme për të planifikuar si duhet këtë vizite zyrtare. Udhëtimet e tilla janë shpenzim i panevojshëm i parasë publike dhe dërgojnë mesazh të paqartë tek shtetet e BE-së”, kishte thënë gjatë ditës së sotme Avdullah Hoti.

Kujtojmë gjithashtu se Teuta Rugova mbështeti qeverinë Haradinaj, duke bërë kështu kuorumin.

Ndërkaq së fundmi, vëllai i saj Mendim Rugova, u emërua nga Ramush Haradinaj koordinator për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit.

SHPËRNDAJE