Thaçi ia thotë në sy Vuçiqit: E tërë bota e di se spastrimi etnik në Kosovë ka ndodhur nga shteti i Serbisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në debatin në Munih bashkë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se e tërë bota e di se spastrimi etnik në Kosovës më 98-99, ka ndodhur nga shteti serb.

“E tërë bota e di se spastrimi etnik në Kosovë ka ndodhur nga shteti i Serbisë. Por është edhe një realitet i ri, ku në Kosovë kemi praninë ndërkombëtare. Për Asociacionin e komunave serbe… jemi pajtuar për të themeluar atë, por jemi pajtuar që ajo të themelohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të Kosovës. Keqkuptimi këtu është se Vuçiqi nuk e kupton se unë jam president i Kosovës së pavarur, të njohur nga mbi 100 shtete. Ende shpresoj se, edhe pse do të jetë pothuajse e pamundshme për të arritur një marrëveshje, vazhdoj të besoj. Pse besoj? Sepse ka gatishmëri për t’u ulur e diskutuar. Me Vuçiqin jemi ulur dhe kemi diskutuar. Ka të atillë që propozojnë ndërtimin e një muri mes shqiptarëve dhe serbëve. E di se duhet të ketë një kompromis të arritur mes autoriteteve të Kosovës dhe të Beogradit. Pse duhet të arrijmë marrëveshje? Sepse Bashkimi Evropian po ndërmjetëson, dhe i ftoj të gjithë që të mbështesin një zgjidhje. Edhe SHBA-ja mbështet një zgjidhje, siç u pa në letrat e presidentit Trump. Ajo që është e re është se, shpresoj, që edhe Rusia do të mbështesë zgjidhjen mes Kosovës dhe Serbisë. Jam shumë i bindur se ndërkombëtarët do të na ndihmojnë në arritjen e një marrëveshjeje”, deklaroi Thaçi.

Tutje foli edhe Vuçiqi, i cili shtroi disa pyetje në lidhje me shtetësinë e Kosovës, duke e vënë atë në pikëpyetje.

“Ndoshta një ditë unë s’do të jem lider dhe dikush tjetër do ta arrijë marrëveshjen. Pyes, pse ju duhemi, pse negocioni me Serbinë? Pse ndodhi që ju ende nuk jeni anëtar i OKB-së? Apo i Interpolit, i UNESCO-s… sepse ju jeni shtet i pavarur i konsoliduar, sipas jush. Por, ju keni nevojë për negocim sepse s’jeni shtet i konsoliduar. Ne nuk presim asgjë nga BE-ja. Janë nikoqirë të mirë. Nuk kemi asnjë fjalë të keqe për Mogherinin apo të tjerët, siç dëgjojmë fjalë nga Prishtina. Gjithmonë për ta dikush ka faj. Herë Serbia, herë Brukseli, herë Rusia… Mendoj se fajtorët janë Thaçi dhe unë. Urrejmë termin e shkëmbimit të territorit, dhe për këtë e përdorim termin demarkacion”, deklaroi Vuçiqi.

Ai u ndal edhe tek kufijtë e Kosovës, të cilët po ashtu i vuri në pikëpyetje duke thënë se a janë kufij që i njeh SHBA-ja apo Kina.

“Për cilët kufij flasim? Që janë njohur nga SHBA-ja apo Kina? Janë kufij krejtësisht të ndryshëm për këto dy vende. Për këtë arsye duhet të negociojmë, t’i dëgjojmë edhe palët tjera. Kam dëgjuar çdo temë të hapur nga delegacioni i Prishtinës. Dhe këtë kërkojmë edhe ne. Por ju e shihni sot, është një seancë e hapur, diskutuam të gjitha çështjet siç janë, dhe u shfaqën të gjitha vështirësitë. Ajo që kemi nevojë është punë me përkushtim dhe të provojmë të arrijmë kompromis. Ju garantoj se nga pala e Beogradit do të bëjmë gjithçka është e mundur, por s’ju garantoj se do të mund të arrijmë diçka”, thekoi Vuçiqi.

Diplomati Wolfgang Ischinger, si nikoqir i këtij paneli, tregoi se Thaçi e Vuçiqi ishin të vetmit liderë që kanë probleme mes vete dhe që u pajtuan të diskutojnë hapur për çështjet që nuk pajtohen, për dallim nga të tjerë që i ftuan e nuk pranuan të bisedojnë hapur mes vete.

“Kemi bërë shumë përpjekje për t’i bërë bashkë liderët që kanë probleme. Tani s’do të përmend emra, por mund të ju them se këta dy janë të vetmit që u pajtuan ta bëjnë këtë. Ju ishit mjaftueshëm të guximshëm të vini në këtë skenë, të sqaroni se çfarë nuk po shkon, por mendoj se e vlerësoj edhe faktin se të dy ju i keni përsëritur përkushtimet për të vazhduar këtë proces. Nuk mund të flas në emër të ndonjë qeverie, por mendoj se të gjithë ne jemi të gatshëm të ndihmojmë për të avancuar procesin. Ju falënderoj dhe kam një dëshirë të vogël: Pasi që kemi vendosur që sot të festojmë përmes një ceremonie për arritjen e një marrëveshjeje mes Maqedonisë dhe Greqisë, ku do të shpallen fitues të një çmimi, a s’do të ishte mirë që vitin e ardhshëm ju të merrni këtë çmim?”, deklaroi Ischingeri.

SHPËRNDAJE