Thaçi: Lidhja e Prizrenit iu kundërvu synimeve për copëtimin e tokave shqiptare

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.

Në facebook presidenti i vendit ka shkruar se kjo lidhje iu kundërvu synimeve për copëtimin e tokave shqiptare.

Postimi i plotë:

Në qytetin historik të Prizrenit, më 10 qershor 1878, delegatë nga të gjitha viset shqiptare u mblodhën për ta themeluar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, organizatën më të rëndësishme politike, ushtarake dhe ekzekutive, që nga koha e Skënderbeut. Lidhja Shqiptare e Prizrenit iu kundërvu synimeve për copëtimin e tokave shqiptare, pas dobësimit të Perandorisë Osmane me kryengritje, memorandume dhe forma tjera të rezistencës. Lëvizja kulturore e Rilindjes sonë Kombëtare, si vetëdije kulturore dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, si vetëdije politike, janë ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit tonë në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ideatorët, burrështetasit dhe ushtarakët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi etj., mbeten figura të mëdha historike, frymëzuese edhe pas 14 dekadash. HTH

SHPËRNDAJE