Thaçi nga Parisi: Paqja është projekt shumë madhor për të dështuar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sonte në Paris i ka ndarë “Medaljen e Lirisë” diplomatit francez, Frédéric Baleine du Laurens, për kontributin e tij të dhënë për shtetin e Kosovës që nga Konferenca e Rambujesë.Në ceremoninë e dekorimit, presidenti Thaçi tha se në rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë e kemi pasur mbështetjen thelbësore dhe të fuqishme nga Franca, nga presidentët dhe ministrat e Jashtëm dhe veçanërisht nga diplomatët e saj.Ai po ashtu kujtoi udhëtimin e ekipit negociator të Kosovës 19 vite më parë, me një aeroplan ushtarak francez për në Paris.

“I dashur Frédéric, ne të dy njihemi për më shumë se 19 vite, që nga koha e Rambujesë. Atëherë ju ishit një burrë i pjekur dhe diplomat me shumë përvojë, unë një djalë i ri që po kalonte sprovën më të madhe në kohët e forta politike. Sot unë kam moshën që ju kishit atëherë, dhe mund të them miku im, se përvoja është një mësues i rreptë, pasi na detyron ta kalojmë provimin, para se të na shpjegojë mësimin. Ne mësuam ta njohim njëri-tjetrin dhe t’i besojmë njëri-tjetrit. Për mua ju ishit dhe jeni një përfaqësues dinjitoz i një shteti të madh, mik i lirisë dhe paqes”, tha presidenti.Ai po ashtu theksoi se nuk është rastësi që konferencat e paqes mbahen në Paris, si Konferenca e Paqes më 1919 dhe Konferenca e Rambujesë më 1999, që shënuan epilogun dhe prologun e paqes në kontinentin tonë, në shekullin e kaluar.

“Paqja është projekt shumë madhor për të dështuar. Andaj, Kosova është e angazhuar sot në bisedimet në Bruksel, me shtetin fqinj të saj, Serbi, nën përkujdesen e Bashkimit Evropian, për të cimentuar paqen”, theksoi presidenti dhe kërkoi të punojnë bashkërisht për një zgjidhje të shpejt dhe përfundimtare, për të sjell paqen dhe stabilitetin në Ballkan.“I dashur Frédéric, vizioni juaj për historinë e Botës, është i plotë dhe largpamës. Unë ju falënderoj shumë në emrin tim, të popullit të Kosovës, për kontributin tuaj shumë të çmuar. E di që nuk e keni pasur lehtë me ne, sepse duhej gjetur kompromise të anëve të ndryshme, të palëve të ndryshme, por me durimin tuaj, me vizionin tuaj dhe të tjerëve, ju ia arritët. S’e keni pasur lehtë edhe me mua personalisht në Rambuje, sepse ju e dinit, unë përpiqesha që ta arrijmë pavarësinë e plotë në Rambuje, ndërsa në realitet ishte mundësia e juaj për t’i ofruar Kosovës vetëm autonomi substanciale”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi po qëndron ën Paris, në shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore

SHPËRNDAJE