Thaçi vazhdon dramën e kufirit me Serbinë, tash përmend 400 kilometra kufi

Presidenti Hashim Thaçi edhe sot e ka përsëritur që nuk do të ketë ndarje të Kosovës por vetëm korrigjim të kufijve me Serbinë, për çka tha se janë 400 kilometra kufi që duhet vënë mes dy shteteve.

“Se kur do të ndodhë takimi i radhës mes delegacioneve shtetërore të Kosovës dhe Serbisë ende nuk është specifikuar ndonjë ditë, por unë shpresoj që nga fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit do të kemi një dinamikë më të fuqishme të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dialogut Kosovë-Serbi”, ka thënë ai sot në vizitën që ia bëri Odës Ekonomike të Kosovës.

“Ndërsa sa i përket korrigjimit të kufijve e theksoj, është realitet, kemi diku rreth 400 kilometra kufi në mes të Kosovës dhe Serbisë që duhet t’i vëmë, sepse duhet ta përmbyllim shtet-formimin apo konsolidimin e shtetit tonë, dhe pa vënien e pikave kufitare ende nuk është përmbyllur ai proces me Serbinë, dhe për këtë arsye do të diskutohet për demarkacionin, do të diskutohet për korrigjimin e kufijve”.

Thaç e riktheksoi se me asnjë çmim nuk do të ndodhë ndarja e Kosovës dhe realizimi i aspiratës serbe, ndërkaq deklaroi se as BE-ja, NATO dhe SHBA-ja nuk do të mund të dalin kundër marrëveshjeje të arritura mes Kosovës dhe Serbisë në Dialog.

“Dhe në kuadër të korrigjimit të kufijve e theksoj edhe njëherë: në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nga askush nuk do të mund të imponohet realizimi i aspiratës serbe për ndarje të Kosovës. Ndërsa në kuadër të korrigjimit besoj se është shumë e realizueshme, është e pranueshme nga ana e jonë kërkesa e institucionalizuar e liderëve të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Kosovën nëse ka marrëveshje ose pajtueshmëri të dyanshme”.

“Askush nuk do të mund dhe nuk do të dalë kundër një marrëveshjeje të vullnetit të mirë të palëve të përfshira në Dialog, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë. Pra as Bashkimi Evropian, as NATO dhe as Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Pra e ritheksoj në asnjë rrethanë nuk do të ketë ndarje; korrigjim të kufijve mund të ketë duke përfshirë Luginën e Preshevës”, përfundoi ai.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE