Thellohet përplasja, Edi Rama i përgjigjet Albin Kurtit: Kufijtë nuk përcaktohen me opinione

Me vetëm dy rreshta të shkruar, Edi Rama i është përgjigjur Albin Kurtit të VV’së për Demarkacionin. Kryeministri i Shqipërisë i ka kujtuar Kurtit se kufinjë nuk janë çështje që përcaktohen me opinione.

“I dashur Albin! Faktet s’janë opinione dhe kufijtë nuk përcaktohen me opinione! Sa për tokën po ta kujtoj që unë nuk fal as det jo më tokë”, ka shkruar shkurt Rama në facebook.

Deputeti i VV’së, Albin Kurti ka reaguar më herët gjatë ditës për shkak të kërkesës së djeshme kryeministrit shqiptar ndaj homologut të tij kosovar, Ramush Haradinaj, që të ndryshojë qëndrim ndaj çështjes së demarkacionit.

Në një shkrim të gjatë në Facebook, ish-lideri i VV’së ka thënë se kërkesa e Ramës është e padrejtë, pasi hartat dëshmojnë se Kosova humb 8200 hektarë nga Demarkacioni.

Ndryshe, Albin Kurti, dhe kryeministri Edi Rama më parë kanë kultivuar raporte të mira duke mos kursyer as lëvdatat për njëri-tjetrin. Por, raportet e tyre duket se po rrënohen për shkak të demarkacionit.

Kurti në reagimin e tij ka treguar se nuk pajtohet me qasjen e kryeministrit së Shqipërisë për demarkacionin me Malin e Zi, duke i thënë Ramës që për të do të ishte mirë që Kosova dhe Shqipëria t’i zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara në vitin e kaluar. /GazetaExpress/.

/

SHPËRNDAJE