Thirrjet e ndërkombëtarëve për luftim të korrupsionit, në vesh të shurdhër

Njohës të çështjeve ligjore e politike në vend thonë se Kosova do të dëmtohet e do të sanksionohet nga shtetet tjera për shkak të mosluftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Sinjalet e ndërkombëtarëve për mospërkrahjen e Kosovës, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Pas Britanisë së Madhe, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ditëve të fundit është larguar nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës e kjo për shkak se në krye të saj është zgjedhur para disa muajve Naser Shala, ish-komandant i UÇK-së, i cili është vlerësuar si i pakualifikuar për këtë pozitë.

Largimi i këtyre dy ambasadave nga kjo agjenci ka shfaqur pakënaqësi edhe të ambasadat tjera në vend.

E për këto veprime njohës të çështjeve ligjore e politike në vend thonë se Kosova do të dëmtohet e do të sanksionohet nga shtetet tjera. Sipas tyre, për shkak të mosluftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit ndërkombëtarët po japin sinjale se nuk do ta përkrahin Kosovën.

E këta të fundit po ashtu kanë kritikuar shumë edhe institucionet e drejtësisë në vend, të cilat sipas tyre nuk i kanë marrë seriozisht thirrjet e ndërkombëtarëve, shkruan tutje gazeta “Zëri”.

Derisa ambasadat e huaja tashmë kanë filluar të marrin masa për shkak të pakënaqësive të tyre, ministri i Drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri, është shprehur i kënaqur me punën që ka bërë kjo ministri në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit në vend.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE