Tifozët vazhdojnë me avazin e njëjtë, sërish bileta në tregun e zi

Rreth 1 milion e 800 mijë kërkesa ishin nga tifozët e Kosovës për ndeshjen e 7 shtatorit, Kosovë-Republika e Çekisë dhe ato janë shitur brenda 15 minutave

Se biletat ishin shitur shumë shpejt kishte njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët kishin thënë se ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm për këtë ndeshje.

Biletat tashmë janë shitur por edhe me këtë keqpërdorimet nuk janë evituar.

Një biletë e shitur në jug të stadiumit “Fadil Vokrri” është duke u shitur në tregun online të një faqeje për 50 euro.

Kjo biletë kushton pesë euro me çmimin e rregullt, shkruan Express.

Pavarësisht se biletat që disa ndeshje shiten online, keqpërdorimet pasi janë blerë biletat kanë vazhduar.

I tillë është edhe ky rast ku personi në fjalë e ka rritur për dhjetëfish çmimin e biletës.

Raste të tilla kanë ndodhur edhe më parë, sidomos kur biletat nuk shiteshin online.

“Brenda 15 minutave, 1 milionë e 800 mijë klikime janë bërë në sistem për të blerë bileta online. Ka pasur probleme me sistem, dhe kjo ka ardhur edhe si rezultat i kërkesave të shumta, por edhe për shkak të një problemi të një kablloje të internetit. Si do që të jetë, të gjitha biletat janë shitur brenda dy orëve. Kjo është diçka e jashtëzakonshme. Ky interesim i madh i popullit, po vjen si rezultat i lojërave të mira që po bëjnë djemtë në fushë dhe ne jemi krenarë me ta”, ka thënë Ademi për KTV-në para këtij rasti.

Kosova pas Çekisë në Prishtinë do të përballet edhe me Malin e Zi dhe me Anglinë në tetor, përkatësisht në nëntor.

SHPËRNDAJE