Tolaj: Sqarimi i IKSHPK’së për tri viktimat është joprofesional dhe absurd

Infektologu Ilir Tolaj ka reaguar pas sqarimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për tri vdekjet e raportuara në 24 orët e fundit nga Covid-19.

Nëpërmjet një shkrimi, ai e ka quajtur sqarimin e IKSHPK’së “joprofesional” dhe “absurd”.

Sipas Tolajt, “deklarata i IKSHKP-së lidhur me këto raste është e pakuptimtë, joprofesionale e absurde dhe është në kundërshtim me kriteret e OBSH-së, CDC-së dhe autoriteteve shëndetësore ndërkombëtare që e definojnë sëmundjen COVID-19.”.

113 vjeçar: “Asnjëherë i sëmurë sepse i pastroj enët e gjakut
Shkrimi i Tolajt:

Sqarimi i sotëm i IKSHKP-së lidhur me statusin e tre të vdekurve nga COVID-19 ditën e sotme është joprofesional, absurd dhe krejtësisht i pakuptueshëm.

Së pari, është fakt i mirënjohur se shumica e pacientëve me COVID-19 që përfundojnë me vdekje, në momentin e vdekjes janë RT-PCR negativ për SARS Cov 2, dmth për COVID-19. Por, ky fakt nuk do të thotë se shkaku i vdekjes nuk është forma e rëndë e sëmundjes COVID-19, e shkakatur nga virusi SARS Cov 2.

Të gjitha rastet me simptomet e COVID-19, si dhe ato të infeksioneve me SARS Cov 2 pa simptome, në fillim të infeksionit do të jenë pozitivë në testimin PCR. Ky test në shumicën e rasteve do të bëhet negativ brenda mesatarisht dy javësh, ndërsa gjatë kësaj periudhe personat PCR pozitivë janë infekcioz për personat tjerë që janë në kontakt me ta. Në raste të tjera, më të rralla, PCR testi mund të vazhdojë të jetë pozitiv edhe për javë e muaj të tjerë (një rast në Slloveni ka qenë pozitiv në testimin PCR për 73 ditë rresht), por nuk janë infekscioz për të tjerët.

Diagnoza përfundimtare kur dikush vdes si pasojë e infeksionit me SARS Cov 2, nuk mund të jetë “Gjendje pas COVID-19”, sepse si faza e infeksionit të freskët, ashtu edhe ndërlikimet e shumta dhe serioze që e rrezikojnë jetën, që e pasojnë infeksionin, janë pasojë e veprimit të virusit SARS Cov 2, shkaktarit të COVID-19, e rrjedhimisht me këtë janë pjesë e sëmundjes COVID-19. Formulimi i tillë i diagnozës përfundimtare për rastet e vdekjeve nga COVID-19 është gjithashtu gabim serioz profesional nga ana e SHSKUK-së dhe duket si një përpjekje jo e ndershme e zvogëlimit artificial të numrit të rasteve që vdesin si pasojë direkte e COVID-19.

Deklarata i IKSHKP-së lidhur me këto raste është e pakuptimtë, joprofesionale e absurde dhe është në kundërshtim me kriteret e OBSH-së, CDC-së dhe autoriteteve shëndetësore ndërkombëtare që e definojnë sëmundjen COVID-19. Dhe nuk është sqaruese për opinionin. Ata që nuk janë profesionist shëndetësorë të fushës së sëmundjeve infektive, vetëm se mund të dezinformohen nga ky “sqarim”.

Reagimi i IKSHKP-së është edhe një huqje profesionale e radhës e tyre.

SHPËRNDAJE