Tre shkencëtarë amerikanë e fitojnë Nobelin për fizikë

Çmimi Nobel 2017 për fizikë i është ndarë tre shkencëtarëve amerikanë, të cilët i kanë vërejtur valët gravitacionale.

Rainer Weiss, Kip Thorne dhe Barry Barish do t’i ndajnë ndërmjet veti nëntë milion kronorë (€707.444), transmeton Express.

Valët gravitacionale janë parashikuar nga Albert Einstein dhe janë rrjedhojë thelbësore e Teorisë së tij të Përgjithshme të Gravitetit.

Fituesit janë anëtarë të observatorit Ligo-Virgo, e cila ishte përgjegjëse për këtë zbulim të madh.

Valët gravitacionale e përshkruajnë tendosjen dhe shtrëngimin e strukturës kohë-hapësirë e cila ndodh kur objekte masive i përshpejtojnë lëvizjet e tyre.

Duke folur në një konferencë për media, Olga Botner, nga Akademia e Shkencës e Suedisë, ka thënë: “Observimi i parë ndonjëherë i valës së gravitacionit ishte hap historik – një dritare në Univers”.

/

SHPËRNDAJE