Trefishohet ndihma sociale

Ndihmë sociale tri herë më të lartë, si e ardhur minimale e garantuar, për pjesën më të madhe të familjeve me rrezik social, rikualifikim dhe kualifikim të mëtejshëm të pranuesve të aftë për punë me qëllim që të mund të kthehen në tregun e punës dhe të dalin nga varfëria, si dhe lehtësim i qasjes deri te kompensimi për fëmijë, parashikon reforma e sistemit social që duhet të fillojë  të zbatohet në Maqedoni nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Sipas ndryshimeve që i prezantuan sot kryeministri Zoran Zaev, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska dhe ai i Financave Dragan Tevdovski, familja katëranëtarëshe, me një person  të aftë për punë, do të marrë 11.700 denarë, ndërsa familja me dy  persona të rritur dhe dy fëmijë nga 10.600 denarë.

“Për më shumë se 70 për qind të shfrytëzuesve të ndihmës sociale rritja është më shumë se 300 për qind, ose tri herë më shumë nga ajo që e marrin tani. Fillojmë reforma themelore në sistemin e mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve. Rritet ndihma sociale në para dhe vendosim  të ardhura të garantuara minimale. Qëllimi është të harmonizohet kompensimi në para që e jep shteti me nevojat e qytetarëve dhe t’u ndihmojmë  më shpejt dhe më lehtë të dalin nga varfëria”, tha Zaevi.

Ai shtoi se lehtësohet edhe qasja e kompensimit të fëmijëve dhe rritet shuma. Vendosen edhe shtesa të reja për përkrahje të fëmijëve nga familjet në sistemin e mbrojtjes sociale dhe nga familjet me të ardhura të ulëta.

“Çdo fëmijë është po aq i rëndësishëm për ne. Nëse e sigurojmë të ardhmen e tyre do ta sigurojmë edhe të ardhmen e Republikës së Maqedonisë”, tha kryeministri Zaev.

Me lehtësimin e qasjes deri te shtesa e fëmijëve, këtë të drejtë do të mund ta realizojnë 73.500 fëmijë, për dallim nga tani, kur shtesë të fëmijëve marrin 3.200 familje, ndërsa shtesa për arsim do të jetë e arritshme për 64.316 fëmijë për dallim nga tani që e marrin 3.800.

Ministrja Carovska konsideron se për çdo shtet është të investojë  në potencial njerëzor sepse, siç tha,  investimi i vetëm te njerëzit mund ta mbajë një komb.

“Pikërisht atë e bëjmë. Rikahëzojmë mjete ndaj qytetarëve të cilët janë në rrezik, por duhet t’i tërheqim përmes angazhimit të tyre në tregun e punës, ndërsa fëmijëve të tyre t’u japim shans për arsimim dhe fillim të barabartë  sikur të gjithë fëmijët e tjerë nga familjet me të ardhura më të larta”, tha Carovska.

Nuk mendon se rritja e ndihmës sociale në para, ose të ardhurat minimale të garantuara, mund t’i deaktivizojë personat e tregut të punës, duke u nisur  nga ajo që tani paga minimale është rreth 12.000 mijë denarë, sepse tani me reformën mundësohet familja  në të cilën ka të ardhura vetëm nga një pagë e tillë të marrë edhe shtesë të fëmijëve dhe shtesë për arsim, me çka gjithsej do të ketë rreth 5.000 denarë të ardhura më të larta se sa ata me të ardhura të garantuara minimale.

Si masë mbrojtëse është planifikuar edhe ajo që ata që do të rikualifikohen dhe me kualifikim të mëtejshëm sipas tregut të punës dy herë do të refuzojnë punën e ofruar mund ta humbasin të drejtën e të ardhurave të garantuara minimale.

“Do të punohet edhe në rikualifikimin e tyre dhe kualifikimin e mëtejshëm që të mundet përmes planit operativ të kthehen në tregun e punës. Pas rikualifikimit dhe kualifikimit të mëtejshëm do t’u ofrohet punë dhe nëse dy herë e refuzojnë ndihma do t’u shkurtohet”, tha Carovska.

Kryeministri Zaev shtoi se shteti dëshiron të ndajë mjete, por, siç tha, ato të shkojnë te njerëzit të cilëve u nevojitet.

Ministri i Financave Tevdovski sqaroi se për ndarjen e këtyre reformave për vitin e ardhshëm janë ndarë 2,2 miliardë denarë.

Me rritjen e mjeteve, tha, duam të sigurojmë mjaft për qytetarët e varfër dhe do të jemi të sigurt se nuk do të ketë fëmijë të uritur, nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër të sigurohet mundësi ata të tërhiqen nga rrethi i varfërisë.

SHPËRNDAJE