Trepça ’89 – Vikingur, zbulohet çmimi i biletave

Trepça ’89, kërkon të kalojë në rrethin e dytë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.

Por, për ta bërë një gjë të tillë, duhet ta mposhtë Vikingurin në ndeshjen e kthimit, pasi në përballjen e parë, kanë humbur me rezultat 2:1.

89-shi, llogarit në lojtarin e 12-të, që pritet të jenë tifozët, e ku numri i tyre mund të jetë i madh, marrë parasysh rëndësinë e ndeshjes.

Për këtë gjë, klubi i Trepçës ka caktuar çmimet e biletave për të gjithë ata që duan ta shohin ndeshjen nga afër.

Çmimin e biletave e ka zbuluar për Sportin në KTV, kryetari i klubit të Trepçës ’89, Abedin Zeka.

“Bileta më e lirë do të kushtojë 2 euro, kurse më e shtrenjta 7 euro.

Prapa portave, biletat do të kushtojnë nga 2 euro, në lindje 4 euro, kurse në perëndim 7 euro. Kemi menduar që të mos jenë të shtrenjta, por t’u përshtaten rrethanave ekonomike dhe të kenë mundësi të vijnë në stadium ata që kanë dëshirë”, ka thënë Zeka.

Ai ka shtuar më tej, se ende nuk kanë vendosur se kur do të dalin biletat në shitje, por sipas tij një gjë e tillë do të bëhet e ditur shumë shpejt.

Trepça ’89 – Vikingur, luhet me 4 korrik nga ora 18:00 në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

SHPËRNDAJE