Tropojanit të dyshuar për vrasje në Gjakovë i caktohen 30 ditë paraburgim, prokurori jep edhe detaje tjera

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin për vrasje dhe tentim vrasje, Vilson Imeraj. Ai dyshohet se në orët e para të mëngjesit të së martës, ka therur me thikë tre anëtarë të familjes Mulaj në fshatin Bardhaniq të Gjakovës. Prokurori i Ali Uka ka dhënë detaje për Gazetën Express lidhur me rastin

Vilson Imeraj nga Tropoja dyshohet se ka therur me thikë tre anëtarë të familjes Mulaj nga Bardhaniqi, mëngjesin e së martës.

Atij sot Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Këtë për Express e ka konfirmuar prokurori Ali Uka.

“Sot është mbajtur seanca ku është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin”, ka thënë Uka.

Imeraj dyshohet se me një thikë kuzhine vrau të kryefamiljarin Ndue Malaj, i cili nga plagët e marra, vdiq në vend.

Të lënduar kanë mbetur edhe bashkëshortja e djali i viktimës.

23-vjeçari Mark Mulaj i cili ishte në rrezik për jetën, po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Brenda dy ditësh, ai pritet të intervistohet lidhur me tragjedinë që ndodhi në familjen e tij.

Këtë për Express e ka konfirmuar prokurori i rastit, Ali Uka.

“Motivet ende nuk dihen, pasi po presim ta intervistojmë djalin i cili gjendet i shtrirë në QKUK. Ka qenë në gjendje kritike për jetën, por tani sipas familjarëve është në gjendje më të mirë. Kam autorizuar policinë që ta intervistojnë brenda dy ditësh në QKUK ku po trajtohet”, deklaroi Uka.

Krimi në familjen Mulaj ndodhi mesnatën e së martës.

I dyshuari Vilson Imeraj nga Tropoja po qëndronte mysafir në familjen Mulaj, pasi ishte nip i zonjës së shtëpisë.

Ai kishte ardhur nga Shqipëria në Kosovë rreth tri ditë para ngjarjes tragjike.

Krejt këtë vepër të rëndë, Imeraj dyshohet se e kreu rreth orës 03:00 të mëngjesit, kur e gjithë familja ishte në gjumë.

SHPËRNDAJE