Trumpi reagon ashpër ndaj republikanit McConnell që ia uroi fitoren Bidenit

Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kritikuar liderin e shumicës në Senat, Mitch McConnell, i cili, njësoj si Trumpi, është pjesë e Partisë Republikane, për urimin e fitores Joe Bidenit.

“Mitch, 75.000.000 vota, rekord (i dukshëm) për një president. Shumë herët për t’u dorëzuar. Partia Republikane duhet të mësojë që të luftojë. Njerëzit janë të zemëruar”, shkroi Trumpi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.

Postimit të tij ia bashkëngjiti edhe linkun e një lajmi me titull “Aleatët e Trumpit e godasin Mitch McConnell-in për urimin e Bidenit”, të publikuar nga tabloidi britanik, “Daily Mail”.

Reagimi i Trumpit erdhi pasi McConnell për herë të parë që nga mbajtja e zgjedhjeve presidenciale e njohu Bidenin si president të ri dhe e uroi atë për postin më të lartë. “Kolegji Elektoral ka folur. Sot, dëshiroj që ta uroj Presidentin e zgjedhur, Joe Biden”, tha McConnell.

Ndryshe, Kolegji Elektoral i dha 306 vota për Bidenin dhe 232 për Trumpin, duke e zyrtarizuar fitoren e ish-nënpresidentit amerikan në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Presidenti i ri do ta marrë formalisht detyrën në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë më 20 janar të vitit të ardhshëm.