Tubimi tradicional “Dita e Mërgimtarëve” edhe kësaj radhe u mbajt në Bajgorë të Shalës

Mërgimtarë nga komuna e Mitrovicës dhe më gjerë, që jetojnë në shtete të ndryshme anembanë Evropës, ishin tubuar edhe këtë të diele në Bajgorë të Shalës për të marrë pjesë në tubimin tradicional “Dita e Mërgimtarëve”.

Përveç mërgimtarëve, në tubim ishin të pranishëm edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, drejtorët e drejtorive komunale Fidan Ademi e Besnik Beka, përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe mysafirë të tjerë.

Në fjalën e rastit që e mbaji, nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, pasi që ju dëshiroj mirëseardhje mërgimtarëve, tha se qëllimi i organizimit të këtij tubimi është që ata të kalojnë një ditë të bukur në bjeshkët e mrekullueshme të Shalës së Bajgorës, të informohen nga përfaqësuesit e institucioneve me gjendjen e përgjithshme në Komunë dhe të njihen më shumë e më mirë në mes veti.

Mujka me këtë rast vlerësoi lartë kontributin e mërgimtarëve dhënë për mbijetesën e popullatës në kushtet e okupimit nga Serbia, pastaj në luftën për çlirimin e vendit dhe së fundi edhe për ndërtimin e shtetit të Kosovës, duke investuar këtu në fusha të ndryshme.

“Ne në komunën e Mitrovicës po bëjmë çmos që të krijojmë kushte sa më të mira për investitorë të jashtëm, por para së gjithash për investime të mërgimtarëve tanë. Është rregulluar infrastruktura në Zonën Industriale në Frashër, ku komuna ka ndarë falas troje për më rreth 20 biznese që kanë ofruar programe të ndryshme dhe hapje të vendeve të reja të punës. Deri në shtator të këtij viti në këtë zonë do të filloj punën fabrika e parë për prodhimin e stiroporit në kuadër të Kompanisë “Bunjamini”, pronari i së cilës ka investuar mbi një milion euro”, tha nënkryetari Mujka.

Ai në vazhdim i njoftoi mërgimtarët edhe për punët tjera të mira që janë bërë në Komunë dhe sidomos në ndërtimin dhe rregullimin e infrastrukturës rrugore, ndërtimin e kanalizimeve nëpër vendbanime të ndryshme në qytet dhe fshatra, si dhe  për një varg projektesh tjera me rëndësi që kanë bërë që jeta e qytetarëve të Mitrovicës të jetë gjithnjë e më cilësore.

Po ashtu, nënkryetari Mujka i njoftoi mërgimtarët edhe për punën e administratës komunale, e cila me qëllim që këta të rregullojnë dokumente të ndryshme gjatë qëndrimit në vendlindje, është zgjatur deri në ora 19:00, si dhe për kushtet tjera dhe lehtësirat e shumta që Komuna ofron për investitorë të ndryshëm e në radhë të parë për bashkëkombësit tanë me qëndrim jashtë atdheut.

Për të pranishmi është shfaqur edhe një program i pasur kulturo-artistik.

SHPËRNDAJE