Tuneli i rrezikshëm i Mitrovicës, u shemb dy herë për pak ditë

Tuneli në hyrje të Mitrovicës është duke u bërë përherë e më i rrezikshëm për qytetarët mitrovicas, të cilët e përdorin për çdo ditë.

Kjo pasi, tuneli që lidh shumicën e territorit të Mitrovicës me rrugën magjistrale për Vushtrri e Prishtinë, është shembur qe dy herë radhazi.

Para disa ditësh ky tunel u bllokua për qarkullim pasi disa gurë pamundësuan lëvizjen aty, ndërkohë që e njëjta gjë ndodhi edhe në orët e mëngjesit të djeshëm.(Shtyp mbi linkun e mëposhtëm dhe shiko pamjen e plotë)

Edhe pse tuneli që çan një kodër të madhe mbi të cilën jetojnë mijëra qytetarë po jep shenja të dobësimit, autoritetet vendase nuk kanë marrë masa. Përveç pastrimit të rrugëve në këto dy raste, nuk është bërë asgjë në rehabilitimin e problemit që po shfaqet në vazhdimësi.

Ndërkohë, këshilltari komunal nga radhët e LDK’së, Bujar Kutllovci, ka ngritur shqetësimin për rrezikun e shembjes së sërishme. Me këtë rast ai u ka kërkuar qytetarëve që të mos përdorin tunelin për të kaluar nga njëra në anën tjetër të qytetit.

“Të nderuar bashkëqytetarë, pas shembjes së një pjese të epërme të tunelit në Bair, ju lus që të ardhmen ta evitoni kalimin përmes tunelit pasi paraqet rrezik permanent të shembjes!”, ka shkruar Kutllovci.

Ndryshe, tuneli i Mitrovicës është mjaft i vjetër dhe në të ka rrjedhje të vazhdueshme të ujit dhe shkoçje të pjesëve të brendshme, e cila gjë në vazhdimësi shkakton rrezik.

SHPËRNDAJE