Turqia po rrezikon ta humbë organizimin e finales së Championsit

Zëvendëspresidenti i UEFA-s, Michele Uva, e ka konfirmuar se organi qeverisës i futbollit evropian do t’i shqyrtojë thirrjet për t’ia marrë Turqisë të drejtën e organizimit të finales së Ligës së Kampionëve, mirëpo theksoi se shtëpia e futbollit evropian s’mund të shërbejë si zëvendësuese e Kombeve të Bashkuara.

Pas sulmit ushtarak të Turqisë nga kurdëve në pjesën veriore të Sirisë dhe përkrahjes së futbollistëve turq ndaj këtij sulmi, shumë tifozë të futbollit kanë nënshkruar peticione kundër Federatës së Futbollit të Turqisë, transmeton Gazeta Express.

Futbollistët e Kombëtares së Turqisë u kritikuan ashpër që i mbështetën veprimet e fundit të Turqisë duke festuar me përshëndetje turke, ndërsa klubi gjerman St.Pauli ia ndërpreu kontratën mesfushorit Cenk Sahin, që kishte dalë në përkrahje të aksioneve të Turqisë.

E gjitha kjo po ndodh përgjatë kohës kur janë shtuar thirrjet që finalja e Ligës së Kampionëve 2020 të mos zhvillohet në Stamboll të Turqisë, për shkak të shqetësimeve për nivelin e sigurisë. Tifozë të futbollit kanë nënshkruar një peticion ku kërkohet që të ndryshohet lokacioni i finales.

“Ne do ta kryejmë punën tonë bazuar në autonominë dhe pavarësinë e sportit, mirëpo ne nuk mund t’i zëvendësojmë Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, shtetet, diplomacinë, ambasadat apo institucionet tjera politike”, ka thënë Uva për Tuttomercato.

“Pas kësaj, vendimi i UEFA-s do të merret në pajtim me Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s dhe Presidentin”. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE