U largua nga politika, por Nexhat Daci i mbeti borgj dikujt hiq me pak se 7 mijë euro

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Nexhat Daci, megjithëse është shkëputur nga politika, ai ende është duke u përballur me një rast që lidhet me kohën kur ai ishte aktiv në këtë skenë.

Madje, ky rast daton qysh nga viti 2007, kur partia që udhëhiqej nga ai, për herë të parë po garonte në zgjedhjet e përgjithshme, pasi një pjesë e anëtarësisë së saj ishte ndarë nga shtëpia e vjetër politike, Lidhja Demokratike e Kosovës, për të themeluar një shtëpi të re, që quhej Lidhja Demokratike e Dardanisë.

Me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve në vitin 2007, partia e Nexhat Dacit, LDD-ja kishte filluar përgatitjet për fushatën parazgjedhore, me ç’rast kishte realizuar një dokumentar.Këtë dokumentar e kishte realizuar “Randobrava Records” dhe kishte kushtuar 14 mijë euro.Por, Reshat Randobrava, babai i pronarit të “Randobrava Records”, Andin Randobrava, po pretendon se ish-partia për të cilën ishte realizuar dokumentari, nuk ia ka paguar gjysmën e shumës së paraparë me marrëveshjen e atëhershme.Ai tash po kërkon pagesën në shumë prej shtatë mijë eurosh, pasi sipas tij, kjo pjesë ka mbetur e papaguar nga LDD-ja.(Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje ⤵)

Dhe, pasi që ky subjekt politik është shuar, ai po pretendon se ky detyrim për pagesën e këtij borxhi, i mbetet ish-kryetarit Nexhat Daci, i cili aktualisht është kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).Madje, lidhur me këtë çështje ka qenë një proces ligjor shumë i gjatë.

Fillimisht, Randobrava kishte kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) një interpretim lidhur me këtë çështje, duke kërkuar të dijë se kush është i detyruar për pagesën e borxhit ndaj tij.Në përgjigjen e 28 janarit të vitit 2016, Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim (ZRPPC) në KQZ, kishte kthyer një përgjigje, me anë të së cilës kishte potencuar se LDD-ja është shuar, ndërsa për borxhet e saj, përgjegjës mbeten kryetari dhe organet drejtuese të partisë.“Gjithashtu, Kryetari dhe organet drejtuese të partisë politike, Lidhja Demokratike e Dardanisë edhe pas marrjes së këtij vendimi për çregjistrim, vazhdojnë të jenë përgjegjës për të gjitha të drejtat dhe obligimet e krijuara gjatë periudhës së të qenit aktiv”, thuhej në përgjigjen e KQZ-së.Mbi bazën e këtij interpretimi, përmbaruesi privat, Afet Mjeku, kishte nxjerrë urdhër për përmbarimin e këtij borxhi.

Pos kësaj, Mjeku për një kohë edhe ia kishte bllokuar xhirollogaritë bankare ish-kryetarit të LDD-së, Nexhat Daci.Ish-kryeparlamentari kishte paraqitur prapësim ndaj vendimit të përmbaruesit privat në Gjykatën Themelore në Prishtinë.Daci kishte deklaruar se përgjigja e KQZ-së ishte e padrejtë dhe kundërligjore.“Në dispozitat e nenit 18 të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike parashihet se “në rastet kur një subjekt politik nuk paguan detyrimet si gjoba, dënime gjyqësore, fatura etj, atëherë shumë përkatëse i zbritet nga buxheti që i ndahet nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike”.

Po ashtu, përgjigja e KQZ bie ndesh edhe me Rregulloren e KQZ-së për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike, e cila ndër të tjera potencon se “anëtarët e partisë së regjistruar politike, duke përfshirë zyrtarët e saj, nuk janë përgjegjës për borxhet e partisë””, thuhej në letrën për prapësim që Daci kishte bërë ndaj urdhrit përmbarimor në lidhje me borxhin e pretenduar.Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte refuzuar prapësimin e Dacit, duke lënë në fuqi urdhrin përmbarimor të përmbaruesit Afet Mjeku, për t’ia kthyer atij lëndën për përmbarim.

Mirëpo, përkundër vendimit të Gjykatës, përmbaruesi privat Afet Mjeku, nuk e kishte përmbaruar borxhin e pretenduar, ndonëse Reshat Randobrava këtë gjë e kishte kërkuar disa herë.Ish-kreu i LDD-së, i ishte drejtuar përsëri ZRPPC-së në KQZ, lidhur me interpretimin që kishte bërë për detyrimet e partive që nuk janë më aktive.Me 4 korrik 2017, ZRPPC e KQZ-së kishte kthyer një përgjigje, ku ndër të tjera kishte potencuar se “borxhet dhe obligimet e cekuar në Vendimin e KQZ-së, kanë të bëjnë vetëm për gjobat e shqiptuara nga KQZ-ja dhe detyrimet ndaj këtij institucioni”.Për këtë arsye, përmbaruesi Afet Mjeku kishte stopuar procesin e përmbarimit të këtij borxhi, duke liruar më pas xhirollogaritë e Nexhat Dacit.

Mjeku e kishte kthyer lëndën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, me arsyetimin që të eliminohen parregullsitë në këtë rast.Me këtë vendim të përmbaruesit privat, nuk është ndarë i kënaqur përfaqësuesi i Reshat Randobravës, avokati Bejtush Isufi.Isufi për “Betimi për Drejtësi” ka deklaruar se një veprim i tillë nga ana e përmbaruesit privat, nuk është i drejtë dhe është joligjor.“Ne kemi një vendim të Gjykatës, i cili e urdhëron përmbaruesin që ta përmbarojë këtë detyrim. Nuk ka asnjë arsye që ky borxh të mos përmbarohet. Përmbaruesi në këtë rast nuk mund ta vlerësojë rastin pasi që atë ta ketë vlerësuar Gjykata, pasi në këtë rast përmbaruesi po e merr rolin e gjyqtarit të çështjes”, ka deklaruar Isufi për “Betimi për Drejtësi”

.Në anën tjetër, Afet Mjeku për “Betimi për Drejtësi” ka deklaruar se ankesat e Reshat Randobravës dhe avokatit të tij janë të pabaza, duke shtuar se borxhi ndaj Nexhat Dacit nuk mund të përmbarohet.“Ky borxh nuk mund të përmbarohet. Përgjigja e dytë e KQZ-së e thotë qartë se detyrimet janë vetëm në kuptim të gjobave që shqipton KQZ-ja. Unë lëndën e kam dërguar në Gjykatë dhe do të pres vendimin e Gjykatës. Ky borxh nuk mund të përmbarohet pasi që është fakt notor se LDD më nuk ekziston. Akuzat e Reshat Randobravës dhe avokatit të tij se unë po e pengoj këtë çështje janë të pabaza. Është shumë e thjeshtë, nëse ata dyshojnë tek unë, le ta dërgojnë lëndën tek një përmbarues tjetër privat. Kjo është zgjedhje të cilën ata e kanë në dispozicion”, ka deklaruar Mjeku.

Aktualisht, lënda është në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për të cilën ende nuk është vendosur.Ndërkohë, Reshat Randobrava ka deklaruar se e gjithë procedura është në rregull, por kjo çështje nuk po përfundohet për arsye se sipas tij, bëhet fjalë për Nexhat Dacin.“E gjithë procedura në këtë rast është në rregull. Këtu kemi edhe një vendim të Gjykatës se ai borxh duhet paguar. Nuk është se Daci nuk ka të ardhura të mjaftueshme për ta paguar këtë borxh. Ai merr të ardhura të majme në Akademinë e Shkencave. Këtu ekskluzivisht rasti pengohet për arsye se bëhet fjalë për një njeri të fuqishëm si Nexhat Daci, këtu nuk ka pengesa ligjore”, ka deklaruar Randobrava për “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, Nexhat Daci ka deklaruar për “Betimi për Drejtësi” se Reshat Randobrava e ka trilluar këtë rast, duke shtuar se ai ka bërë një “turp historik” ndaj tij.“Reshat Randobrava ka bërë një turp historik. Mua pa asnjë të drejtë për një kohë më janë bllokuar llogaritë dhe jam turpëruar nga ky rast. KQZ e ka ndryshuar interpretimin e tij pasi ka qenë e ditur se përmbaruesi nuk ka pasur të drejtë që të mi bllokojë llogaritë. Për këtë arsye përmbaruesi edhe është tërhequr nga ky rast.

Krejt këtë fëlliqësi e ka bërë jo ai që e ka kryer punën, Andin Randobrava, por babai i tij, Reshat Randobrava. Unë nuk e di se si e ka mjegulluar punën Reshat Randobrava me atë përmbaruesin. Kjo procedurë tanimë ka përfunduar dhe unë nuk merrem me të. Unë nuk jam borxhli ndaj Reshat Randobravës në asnjë aspekt, qoftë moral apo ligjor”, ka deklaruar Daci.Lidhur me këtë rast, Reshat Randobrava kishte bërë ankesë edhe në Zyrën e Prokurorit Disiplinor (ZPD) dhe Odën Përmbarimore të Kosovës (OPK), por që në të dyja rastet kishte marrë përgjigje se këto organe nuk kanë gjetur sjellje të pahijshme./Betimi per Drejtesi

SHPËRNDAJE