Udhëkryqi politik i Kadri Veselit

Shkruan: Gazmend Morina

Lideri i PDK-së duket se po përballet me sfidën më të madhe në karrierën e tij politike, pasi që këtë javë i duhet të vendos për të ardhmen e Qeverisë së Kosovës, partner i së cilës është, ani pse kjo qeveri nuk i ka përmbushur as për së afërmi obligimet karshi partnerëve ndërkombëtar.

I zgjidhur kryetar i PDK-së në maj të vitit të kaluar, Veselit nuk po i mjafton pozita e kryetarit të Kuvendit, pasi që po shihet se ai ka ambicie të marrë postin e kryeministrit, gjë të cilën mund ta bëjë vetëm përmes zgjedhjeve të reja.

Mocioni i të mërkurës i ngritur nga opozita dhe i përkrahur nga tre deputetë të PDK-së, ku njëri nga ta, Rafet Rama, është mik i afërt i Kadri Veselit, po shihet se e ka përkrahjen e liderit të PDK-së edhe pse këtë kryekuvendari s’po mund ta bëjë haptazi për shkak të presioneve nga ambasadat e shteteve mike që janë të vendosur në Kosovë, e që kanë shprehur hapur qendrimin e tyre kundër zgjedhjeve.

Nëse të mërkurën votohet mocioni i opozitës, Kadri Veseli do ta amnistonte Isa Mustafën nga fajësia para të huajve për mos kalimin e demarkacionit me Malin e Zi dhe kështu do ta paraqiste ish shefin e ShIK-ut si njeri jo bashkëpunues me miqtë ndërkombëtar. Kjo është ana negative, por ana pozitive për Veselin e kësaj është se do të hynte në zgjedhje me shumë gjasa të del partia e parë, nëse partitë e tjera parlamentare nuk lidhin koalicione parazgjedhore mes veti.

Por nëse nuk kalon mocioni të mërkurën, atëherë Isa Mustafës do t’i mbes ‘patatja e nxehtë në duar’, pra do t’i duhet që deri të premten ta procedoj demarkacionin në Kuvend dhe të sheh se a i ka numrat për miratimin e tij. Mos miratimi i demarkacionit do ta hapte mundësinë që LDK e PDK të bënin marrëveshje për shkuarje në zgjedhje, por nëse kjo nuk do të jetë e mundur, atëherë PDK-ja do të kërkoj shkuarjen në zgjedhje përmes shpërbërjes së Kuvendit me 2/3 e deputetëve.

Në anën tjetër, miratimi i demarkacioni do të ngjallte protesta të ashpra nga opozita në Prishtinë dhe kështu e vetmja mundësi për shuarjen e tyre do të ishte shkuarja në zgjedhje të parakohshme, e cila mund të bëhet me dakordimin e partnerëve të koalicionit apo edhe me shpërbërje të kuvendit nga 2/3 e deputetëve.

Të gjitha këto opsione janë në duart e Kadri Veselit dhe si asnjëherë më parë, ai para publikut dhe para ndërkombëtarëve do t’i duhet vet ta marrë përgjegjësinë, për shkak se për dallim nga vitet e kaluara, tash nuk mund ta ketë përkrahjen publike të Hashim Thaçit, i cili zakonisht është treguar lojtar dinak në raste të sfidave të tilla politike.

Se cila prej këtyre opsioneve do të realizohet dhe si do të veproj Kadri Veseli kjo mbetet të shihet, por është e sigurt se veprimet që do të duhet t’i merr këtë javë, do të kenë efekte disa vjeçare në të ardhmen e tij politike.

(Autori është kryeredaktor i portalit Veriu.info)

SHPËRNDAJE