Vajza e deputetit të LDK-së bëhet asistente e Drejtorit të Navigacionit Ajror (Dokument)

Komisioni Përzgjedhës i Shërbimit Civil njofton se në pozitën e Asistentit të Drejtorit të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, është pranuar, vajza e deputetit të LDK’së Sadri Ferati, Nita Ferati. Në fillim të vitit të kaluar Ferati u pat punësuar në Infrakos, me kontratë mbi vepër. Deputeti Sadri Ferati, për pozitën e vajzës së tij në Agjenci dhe atëherë në Infrakos pati thënë se ka pasur gisht në punësimin e Nitës

Nita Ferati, e diplomuar në Universitetin AAB në degën e Ekonomisë, tash e punësuar si asistente e Drejtorit të Agjencisë së Shërbimit të Navigacionit Ajror, është vajza e deputetit të LDK’së Sadri Ferati.

Deputeti Ferati, e ka konfirmuar punësimin e vajzës së tij në këtë pozitë, mirëpo ka thënë se ai “s’ka gisht në këtë punësim”, pasi sipas tij, vajza e tij e ka merituar vetë.

“N’jetë tem, asnjë njeri gjallë nuk e njoh në atë institucion. Vajza është magjistre e ekonomisë dhe notën mesatare e ka 9.9 dhe që 1 vit e gjysmë ka pritë për punë. Asnjë lidhje nuk e kam hiç”, ka thënë deputeti Ferati për Gazetën Express, derisa ka treguar se Nita ka punuar 3 vite në bankën “TEB”, “dhe tani ka realizuar të drejtën qytetare”.

Njoftimi thotë se pas përfundimit të procedurave të rekrutimit bazuar në Ligjin Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil, Rregulloren 02/2010 për procedurat e rekrutimit për pozitën Asistent/e i/e Drejtorit…, me kontratë në afat të pacaktuar, 12 muaj fazë provuese – njoftohet se rezultati i kandidatit më të suksesshëm, Nita Ferati me 84.74 pikë dhe (kandidate tjetër me 70.56 pikë). Ky njoftim është lëshuar më 07.04 2017.

Kujtojmë se në fillim të vitit 2016, Sadri Ferati thuhet se pati ‘rahatuar’ vajzën e tij, Nitën në një nga ndërmarrjet publike, në Infrastrukturën e Hekurudhave të Kosovës (Infrakos). Ajo ka qenë e punësuar me kontratë mbi vepër.

Edhe atëherë, deputeti i LDK’së pati thënë se punësimi i vajzës së tij në këtë ndërmarrje nuk është bërë me intervenimin e tij.

Meritat për punësimin e saj në “Infrakos” atëherë dhe tani në Agjencinë e Navigacionit Ajror, Ferati ia hedh vajzës së tij, duke thënë se ka qenë e ‘zonja” gjatë studimeve.

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati ka edhe gruan të punësuar në Spitali Regjional të Mitrovicës, ku pagë vjetore merr 5 mijë e 204 euro.

Në deklarimet e pasurisë në mars të vitit të kaluar, deputeti Ferati në të hyrat vjetore merr pagë nga Kuvendi i Kosovës, 25, 498.33 euro, kurse të hyrat nga qiraja nga lokali afarist që e posedon në Prishtinë, merr 36 mijë euro në vit.

SHPËRNDAJE