Vajza e dërgon Kurtin në “Botën e çudirave”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka qenë spektator në teatër së bashku me bashkëshorten Rita dhe vajzën e tyre Lea, për të parë shfaqjen e fëmijëve.

Këtë e bëri të ditur vet ai me anë të një postimi në Instagram, ku tregoi dashurin dhe pasionin që të jep teatri.

Tutje, Kurti nuk la pa i lavdëruar aktorët dhe bëri me dije se si institucion nuk do ta lënë në harresë teatrin.
“Mbrëmë Lea, mua e Ritën, na dërgoi në teatrin “Dodona” për të parë shfaqjen “Liza në botën e çudirave” të Lewis Caroll, dramatizuar nga Arzana Kraja e me regji të Melihate Qenës. Kur perdet e teatrit ranë ne u futëm në botën e tij.

Duke e ndjekur nga pas lepuroshin e shfaqjes, çuditeshim bashkë me Lizën. Hera herës provonim t’i ndihmonim asaj në matematikë e në gjetjen e kryeqytetit të Kosovës. Viheshim në siklet nga trysnia mbi Lizën, por edhe gëzoheshim kur ajo triumfonte.

Njëmend mungojnë kushtet në këtë teatër, por aty ka aq shumë dashuri për të e pasion në të. Aktorët tanë e bëjnë dhe shfaqin maksimumin e tyre në çdo paraqitje skenike, kurse ne duhet që së paku ta japim ndihmën institucionale.

Si prind e di rëndësinë e teatrit, prandaj nuk do e lëmë në harresë. Nuk ka emancipim pa teatër”, kishte shkruar Kurti.

SHPËRNDAJE