Valdete Daka për akuzat ndaj saj: E paprecedentë dhe e rrezikshme, kandidimin nuk po ua mohoj unë, por ligji

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, pas polemikave të shumta në lidhje me vendimin për mos-certifikimin e kreut të VV-së, Albin Kurti dhe personave të tjerë si kandidatë për deputetë, ka thënë se ajo vetëm e zbaton ligjin.

Daka në një konferenc për medie u shpreh se çdo person që mendon që po i bëhet e pa drejtë, mund të ankohet.

“Unë nuk e kam shkruar Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe as nuk e kam votuar.Unë nuk e kam shkruar as nenin 29 të këtij ligji. Nuk e kam shkruar as germën Q të këtij neni, që pamundëson kandidimin e një personi i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit.Unë nuk e kam shkruar as Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që kërkon zbatimin e kësaj dispozite ligjore.

Çdo person që mendon se po i bëhet e padrejtë, do të mund të ankohet në institucionet si PZAP apo edhe në Supreme. Ne do t’i zbatojmë vendimet e tyre.Unë, Valdete Daka nuk i kam shkruar dhe as votuar këto ligje, por si gjyqtare dhe si drejtuese e KQZ-së, i garantoj qytetarët e Republikës së Kosovës se do t’i zbatoj germë për germë.

Kushtetutën dhe Ligjet, të mira apo të këqija, kështu siç janë, i kanë votuar deputetët e e partive tuaja në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Mund të ndodh që partive politike herë u pëlqejnë vendimet e KQZ-së dhe herë-herë jo. Por, megjithkëtë, këto vendime janë të bazuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, me të cilin i orgaizojmë zgjedhjet”, deklaron ajo.

“Ky ligj është në fuqi nga viti 2008, por partitë politike nuk e kanë marrë mundimin që ta ndryshojnë përmes deputetëve të tyre. Derisa partitë politike nuk e ndryshojnë ligjin, ne do ta zbatojmë ligjin që është në fuqi.

Unë, nuk marr vendime në emër të KQZ-së. Sipas ligjit, KQZ-ja është organ kolegjial, i përbërë edhe nga 10 anëtarë të tjerë, të cilët përfaqësojnë partitë politike dhe që kanë votën e tyre, njëjtë si unë.Unë jam në detyrën e Kryetares së KQZ-së edhe me betimin si Gjyqtare e Gjykatës Supreme, për të zbatuar Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi dhe këtë betim do ta çojë deri në fund e palëkundur.

Është bërë e lehtë për burrat e politikës që të sulmojnë një gjyqtare, një grua dhe një nënë që nuk e mbron dhe nuk e mbështet asnjë parti politike.Pavarësisht kësaj, unë jam krenare që drejtoj një institucion si KQZ-ja, që ka një staf professional, puna e të cilëve vlerësohet lartë në raportet e organizatave ndërkombëtare. Kjo është forca më e madhe që kam dhe që u dalë të gjithëve ballëhapur”, tha ajo.