Vazhdon skandali me barna, MSH vitin e kaluar bleu barna me çmim 300 për qind më shtrenjtë

Ministria e Shëndetësisë nuk e ka ndalur avazin e shpërblimit të kompanive farmaceutike me çmime shumëfish më të shtrenjta. Është vet auditori i brendshëm i MSH-së i cili ka gjetur se në dy kontrata të negociuara në fund të vitit të kaluar janë blerë produkte me çmime deri mbi 300 për qind më shtrenjtë

Në dhjetor të vitit të kaluar ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, doli në një konferencë të jashtëzakonshme për media ku tha se ka ndalur korrupsionin në këtë institucion. Ai tha se këtë e ka bërë duke ndalur kontrata të dëmshme me të cilat janë blerë produkte medicinale me çmime shumëfish më të shtrenjta sesa çmimet reale të tregut. Madje ai deklaroi se MSH nën drejtimin e tij ka kursyer mbi 6 milionë euro buxhet duke i ndalur këto kontrata.

Por kjo nuk po del të jetë krejt e saktë. Ministri mund të ketë të drejtë se ka pasur kontrata të dëmshme në të kaluarën, por ato nuk janë ndalur. Madje një prej tyre është lidhur vetëm një muaj para se Ismaili të dilte në konferencën pompoze. E këtë e konfirmon vet ministria të cilën e udhëheq ai, përmes një auditimi të brendshëm i cili është realizuar në muajin janar-shkurt të këtij viti e të cilin e ka siguruar Gazeta Shneta.

Në dokumentin i cili mban titullin “Draft raporti i auditimit të brendshëm – Planifikimi dhe realizimi i aktiviteteve të prokurimit sipas dinamikës së paraparë”, më datë 06.02.2019, janë raportuar disa parregullësi në punën e Departamentit të Prokurimit të MSH-së.

Të gjeturat kryesore flasin për parregullsi në procesin e ofertimit, i cili ka shkaktuar shumë pakënqësi dhe kërkesa për informata shtesë nga operatorët ekonomikë. Poashtu në disa raste është përcaktuar lokacioni si dhe afati i liferimit me vetëm një ditë pas porositjes, çka ka favorizuar kompani të caktuara. Ndërkaq të gjeturat më skandaloze në këtë raport janë dy kontrata të lidhura me procedura të negociuara, e të cilat përmbajnë artikuj medicinal me çmime shumëfish më të shtrenjta. Madje deri në 300 për qind.

Raporti i auditorit të brendshëm ka gjetur se kontrata me numër prokurimi 206/18/115/115 e datës 03.09.2018 përmban artikuj medicinal për hemodializën të cilët janë blerë me çmime të fryra. Artikulli “Koncentrat i lëngshëm i bikarbonatit” është kontraktuar me çmim 1.02 euro me procedurë të negociuar, derisa i njëjti ishte blerë me kontratën paraprake me vetëm 0.33 euro me procedurë të hapur. Ky artikull del të jetë blerë me çmim 309.1 për qind më shtrenjtë sesa herën e kaluar.

Në të njëjtën kontratë janë edhe dy artikuj tjerë, “Koncentrat i lëngshëm adicic” i cili është blerë me 194.1 për qind më shtrenjtë, si dhe “Linja A-V” me 229.7 për qind më shtrenjtë sesa në kontratat paraprake.

Ndërkaq në kontratën tjetër e cila është realizuar në muajin nëntor më datën tetë të vitit 2018 me numër prokurimi 206/18/98/115, MSH e ka blerë “Koncentratin e lëngshëm të bikarbonatit” me çmim 0.90 euro me procedurë të negociuar. Të njëjtin produkt kjo ministri me kontratën paraprake me procedurë të hapur e kishte blerë vetëm 0.33 euro. Kjo i bie se MSH ka blerë barna me çmim 272.7 për qind më shtrenjtë. Njëjtë ka vepruar edhe në artikullin e dytë të kësaj kontrate kur e ka blerë “Linjën A-V” me çmim mbi 200 për qind më shtrenjtë.

Gazeta ka gjetur se të dy kontratat i janë dhënë kompanisë së njëjtë, “Pharma Leader” për furnizimin e Hemodializës. Kontrata e parë ka kushtuar mbi 97 mijë euro, kurse e dyta afër 200 mijë euro. Kjo kompani është konstituuar në të njëjtin muaj me themelimin e Qeverisë së koalicionit ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Pronarët e kompanisë janë të afërt me të dy këto parti, për çka Gazeta Shneta ka raportuar disa herë.

“Konsiderojmë që procesi i vlerësimit në disa raste nuk ka siguruar vlerën më të mirë për paranë publike. Procedurat e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë për rastet ekstreme të përdorura e që është shmangë nga parimet themelore të transparencës nuk ka prodhuar rezultate të dukshme sa i përket vlerës për para në saj të çmimeve të ndryshme për artikuj të njëjtë dhe në atë në periudha të afërta kohore”, thuhet në konkluzionin e raportit.

Raporti poashtu tutje konkludon se operatorët ekonomikë janë shpërblyer me kontrata pa i plotësuar kriteret e specifikuara në dosjen e tenderit. Poashtu në raport thuhet se një kontratë është negociuar me vetëm një operator ekonomik, gjë që ka paraqitur favorizim të një operatori nga zyrtarët përgjegjës të prokurimit.

Gazeta ka tentuar të marr përgjigje nga MSH në lidhje me këto dy kontrata me çmime shumëfish më të shtrenjta, por zyrtarët e kësaj ministrie deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje. Njëjtë kanë vepruar edhe zyrtarët e kompanisë “Pharma Leader” të cilët nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës. /Gazeta Shneta/

SHPËRNDAJE