Vdes një person nga vapa e lartë në Shqipëri

Një 77 vjeçar nga Ferma Partizani në qytetin e Kuçovës është viktima e parë e vapës së padurueshme të kësaj vere në qytetin e Kuçovës.

Kryefamiljari është gjetur pa ndjenja në rrugë, disa kilometra larg nga banesa e tij, nga kalimtarët e rastit, raporton Top Chanel.

Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Beratit, por mjekët e spitalit deklarojnë se 77-vjeçari mbërriti në gjendje të vdekur në spital.

Pas ekzaminimit mjekoligjor të viktimës, është deklaruar se vdekja ka ardhur për shkak të “kardiomiopisë së dilatuar” e quajtur ndryshe “zmadhimi i zemrës”.

Sipas mjekëve, kjo diagnozë prek të sëmurët kronikë me zemër dhe vjen si rezultat i dehidratimit për shkak të mospërballimit të temperaturave të larta.

Ferit Kuçi,77-vjeç,nga Ferma Partizani në Kuçovë,ka shënuar sot edhe viktimën e parë nga vapa në qarkun e Beratit,ku 3 ditët e fundit temperaturat kanë arritur në mbi 40 gradë celsius, ndërkohë që në qytetin e Kuçovës termometri këto ditë ka arritur në 41 gradë celsius, për shkak të puseve të naftës./gazetametro.net

SHPËRNDAJE