Veç 2 ditë pas zgjedhjeve, Palmer vjen në Kosovë për ta “bekuar” Qeverinë e re

Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer, i cili është emëruar edhe Përfaqësues Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, muajin e ardhshëm pritet ta vizitojë Kosovën.

Është kandidati për deputet nga PSD Dardan Molliqaj, që ka paralajmëruar se dy ditë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Palmer do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.

“Dy ditë pas zgjedhjeve, më 8 tetor vjen Palmer nëse e kam informatën e saktë. Të gjithë e dimë se Palmer me 8 tetor po vjen për qeverinë për dialogun”, ka deklaruar Molliqaj në Klan Kosova.

Dhjetë ditë më parë lajmi ishte konfirmuar edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, por e cila nuk kishte caktuar datën se kur Palmer do të qëndrojë në Kosovë.

“I Dërguari Special Matthew Palmer planifikon të vizitojë Kosovën. Sidoqoftë, data e vizitës së tij nuk është caktuar ende”, thuhej në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë për Express.

Kjo do të ishte vizita e tij e parë në Kosovë në cilësinë e Përfaqësuesit Special të SHBA-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Matthew Palmer më 30 gusht të këtij viti, me një vendim të Sekretarit të Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, është emëruar si Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit zyrtar të lëshuar në faqen e Departamentit të Shtetit, thuhet se roli i Palmerit do të jetë që të drejtojë përpjekjet amerikane për të forcuar angazhimin diplomatik amerikan në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon si dhe në përqendrimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet Perëndimore.

Palmer si pikë kryesore në agjendën e tij pritet të ketë rinisjen e dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, proces ky që është bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, ndërkohë kërkesë e tij është që Kosova të heq vendimin për taksë ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. /Reporteri.net/.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE