Vedat Muriqi mund të luajë kundër Realit dhe Bayernit në “Allianz Arena”

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, edhe zyrtarisht i është bashkuar Fenerbahçes nga Çaykur Rizespor.

Gjiganti turk Fenerbahçe njoftoi të dielën në mesditë se zyrtarisht e ka blerë kosovarin nga Rizespori.

Muriqi ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me klubin verdhekaltër, pasi Fenerbahçe arriti marrëveshje me Rizesporin fillimisht dhe pastaj edhe me vetë lojtarin.

Në një komunikatë të publikuar në uebsajtin zyrtar, Fenerbahçe njoftoi: “Me krenari ju njoftojmë se i urojmë mirëseardhje sulmuesit të lindur në Kosovë, Vedat Muriqit. I urojmë atij suksese me klubin tonë”.

Muriqi pritet shumë shpejt t’i bashkohet Fenerbahces në parasezon për t’u përgatitur për sezonin e ri 2019/20.

Sulmuesi i Kosovës do të ketë mundësinë të luajë kundër yjeve të Bayern Munich, me 30 korrik në Audi Cup, që organizohet çdo vit nga klubi gjerman dhe ku marrin pjesë katër skuadra.

Sfida tjetër do të luhet mes Real Madridit dhe Tottenhamit, dhe fituesit do të përballen në finale, kurse humbësit do të luftojnë për vendin e tretë – çka do të thotë që ka mundësi që Muriqi të luajë edhe kundër Real Madridit, menjëherë me 31 korrik. /Gazeta Express/